Kuvendi i Kosovës, ja këngëtarët e aktorët që do të bëhen deputetë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të mërkurën shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 6 tetor. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se shpallja e këtyre rezultateve vjen pas përfundimit të gjitha procedurave në vendvotimeve dhe QNR. Ashtu si në çdo legjislaturë tjetër, edhe kësaj radhe kuvendit nuk do t’i mungojnë artistët. Teksa shumica e deputetëve vijnë nga profile të ndryshme si: politika, inxhinieria apo mjekësia, disa prej tyre vazhdojnë ta mbajnë epitetin e artistit, ndonëse i janë futur rrugës së politikës. Ky legjislacion do të ketë plot tre artistë deputetë, të cilët vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ata do të jenë këngëtarja dhe arkitektja e njohur Eliza Hoxha, e cila ka marrë 9303 vota, ish-reperi Memli Krasniqi që numëron plot 11 034 vota, dhe ish-moderatorja dhe aktorja Blerta Deliu-Kodra, e cila u votua nga gjithsej 8 099 qytetarë. Kuvendit do t’i mungojnë këngëtari Labinot Tahiri dhe Adem Mikullovci, të cilët ishin deputetë të legjislacionit të kaluar. I pari nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme si kandidatët nga radhët e AAK-së, teksa i dyti as nuk konkurroi në zgjedhjet e fundit.
Përkundër tentativave, artistët që dështuan të sigurojnë votat për të qenë pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, janë edhe aktori Jeton Zogiani i cili ka marrë vetëm 980 vota dhe këngëtari Fahrush Azemi që ka marrë 4238 vota, si kandidat nga radhët e PDK-së. Kuvendi i Kosovës përndryshe do të mbetet edhe pa sportistë, pasi kandidatja Gentiana Beqa-Ahmeti e cila ishte ndër të vetmet nga kjo fushë që konkurronte për deputete, ka marrë 2465, aq sa janë jo mjaftueshëm për të siguruar një nga ulëset e kuvendit. /Telegrafi/