Mariah Carey i ka shpenzuar rreth 5 milionë dollarë për shoun special të Krishtlindjeve
Ylli i njohur i muzikës, Mariah Carey, e ka shpenzuar një shumë të majme të hollash për realizimin e shout të saj special të transmetuar në “Apple TV+”, e i cili solli para kohe frymën e Krishtlindjes.
Me titull “Mariah Carey’s Magical Christmas Special”, shou përveç muzikës përfshiu edhe paraqitje speciale të yjeve të shumtë të showbizit, të tillë si: Ariana Grande, Jennifer Hudson, Tiffany Haddish, Snoop Dogg dhe të tjerë.
Një burim i afërt i këngëtares ndër të tjera ka treguar: “Mariah ka dashur që shou i saj në Apple TV të jetë i jashtëzakonshëm dhe pakonkurrencë. Dhe ka arritur të bëjë pikërisht këtë. Jo vetëm sa i përket shikueshmërisë dhe vlerësimeve nga publiku dhe kritikët, por edhe në buxhetin e shpenzuar rreth realizimit të tij që e kap shifrën prej 5 milionë dollarësh”.
Diva amerikane e muzikës duket se ka qenë e vendosur të mos kursehet në organizimin e kësaj ngjarjeje festive, dhe kështu ka vendosur ta investojë një shumë të madhe të hollash për t’u siguruar që shou të jetë sipas standardeve dhe dëshirës së saj. Dhe të gjithë e dinë se një investim i tillë është më se i vlefshëm, për një ikonë të muzikës sikurse Mariah Carey.
Në këtë speciale, të shoqëruar me muzikë dhe performanca vallëzimi e animacione, këngëtarja shfaqet tek i del në ndihmë “mikut të saj të veçantë” – Babadimrit – në përpjekjen e tij për ta rikthyer gëzimin e festave të fundvitit në mes të krizës së shkaktuar nga pandemia.
Paraqitje të rrallë dhe të veçantë në këtë shou kishin edhe binjakët e këngëtares, Moroccan dhe Monroe.
Ndërkohë, Carey se fundmi ka zbuluar se ka gjasa që së shpejti të realizohet një film për jetën e saj.
Ylli i hitit “All I Want For Christmas Is You” i ka ngacmuar fansat duke thënë se ekziston plani që libri i saj biografik, “The Meaning of Mariah Carey”, të shndërrohet në film. Këngëtarja e pranoi se gjithmonë ka dashur ta shndërroj librin në një projekt kinematografik.