Marina Vjollca, së shpejti në një studio supeluksoze në Klan!
E nesërmja shënon mbajtjen e ceremonisë martesore të Marina Vjollcës dhe Getoar Selimit. Duke qenë se lidhja e tyre nuk u kalua pa zhurmë, ashtu sikurse zbulimi i disa detajeve të dasmës ka ngacmuar jo pak, fansat e çiftit dhe ndjekësit e shoubizit shqiptar kanë kthyer sytë nga ky event për të cilin dëgjuam shumë së fundmi. Fakti që Marina nuk do të jetë më pjesë e Top Channel, u vërtetua më së miri para pak kohësh, kur televizioni Klan nisi transmetimin e spotit për hapjen e sezonit të ri. Mes figurave si Alketa Vejsiu, Arian Çani, Ardit Gjebrea etj, qendron dhe imazhi i Marinës. Por, ku do ta shohim në të vërtetë prezantuesen?
Panorama Plus zbulon se në ambjentet e këtij televizioni po ndërtohet një skenë superluksoze, e cila do t’i kushtohet vetëm moderatores. Sipas këtij suplementi dhe burimeve të tij në TV Klan, zbulohet se Vjollca do të drejtojë një emision muzikor, përshtatje e një formati francez, autor i të cilit do të jetë një nga figurat më të rëndësishme mediatike. Flitet se një format i tillë është tejet i kushtueshëm, dhe Marina do të ketë fatin ta prezantojë e vetme. Largimit nga Top Channel nuk iu dha një shpjegim zyrtar nga moderatorja, por aludohet se një vendim i tillë ka ardhur si shkak i dëshirës për t’u prezantuar vetëm në skenë, në një emision me të tjera përmasa, jo më përkrah një kolegu, siç ishte Edi Manushi në rastin konkret.