”Mos bab, se të duhet Topi”, Olsi për mirënjohje apo biznes në Big Brother?

Pavarësisht se në sipërfaqe paraqitja e Olsi Bylykut në “BBVA 4” për të takuar ish-partneren e tij, Eglin, u duk si një veprim për të shprehur mirënjohje për vitet që kaluan bashkë (ndonëse pa ndonjë lidhje logjike me lojën e tanishme), në thelb mendojmë që ka qenë një lëvizje e menduar mirë biznesi dhe rikthimi në orbitën e Top Channel.
Pas largimit jo pa bujë nga “BBVA 3”, dhe më pas publikimit të këngëve ku i referohet direkt Top Channel-it (“Pikë”, “Njesoj”), duke përmendur edhe presionin për të ruajtur marrëdhënien me Top Channel (“Mos bab, mos se të duhet Top-i”), Olsi dukej sikur kishte mbyllur çdo derë me këtë platformë. Madje, janë/ishin në proces gjyqësor pasi Top Channel e paditi për dëmtim imazhi, duke e kthyer konfliktin në një përplasje personale dhe institucionale.
Dalja e tij së fundmi në “The Dalina Show” dha një tjetër këndvështrim për misionin dhe ambiciet aktuale të Olsit: të mbështesë dhe të menaxhojë artistë të rinj, të panjohur, të cilët nuk kanë qasje të lehtë në industrinë e mbizotëruar nga “big names”. Dhe këtu vjen pikërisht pika e kthesës: ai e ka kuptuar që për t’i dhënë jetë këtij vizioni, nuk mund ta shmangë Top Channel-in. Ky është një kanal i rëndësishëm për:
-promovim muzikor (Top Awards, Top List, Top Albania Radio, emisione muzikore, emisione të tjera),
-pjesëmarrje në formate që prodhojnë viralitet (BBVA, Për’puthen, E Diell etj.),
-dhe, së fundmi, industria e filmit ku Top Channel po investon së fundmi, një fushë që Olsi patjetër ka interes si aktor dhe producent.
Takimi me Eglin është më shumë një kthim në skenën e Topit, ai nuk është thjesht një i ftuar special apo ish-i dashuri perfekt që flet mirë për ty, por një figurë që kërkon të rivendosë marrëdhëniet me industrinë dhe me vetë median që dikur i hapi derën për të nisur karrierën.
E në fakt nuk është vetëm Olsi që përfiton nga kjo, Top Channel gjithashtu ka përfitimet e veta: një rikthim i figurës të tij, sidomos në një “përballje” me Eglin, nënkupton më shumë shikueshmëri. Për këtë arsye, paraqitja e Olsit në BBVA nuk është (vetëm) për mirënjohje ndaj Eglit. Është negocim (u tërhoq padia?!). Dhe mbi të gjitha: është biznes.
Në fund të ditës, nuk ka asgjë të keqe sepse është një marrëdhënie e dobishme për të dyja palët, megjithëse, për fat të keq, u bë në kurriz të Eglit që me siguri nuk ka kërkuar t’i shfaqet ish-i dashuri në “Big Brother”. /Anabel.al/