Ndahet nga jeta në moshën 96-vjeçare, aktorja shqiptare që lindi greke
Një humbje e madhe për kinematografinë greke, e jo vetëm. Aktorja legjendare greke, me origjinë shqiptare, Irene Papas, është ndarë nga jeta sot në moshën 96-vjeçare. Njoftimin e ka dhënë Ministria e Kulturës e Greqisë.
Ajo luajti në mbi 70 filma në një karrierë mbi 50-vjeçare, dhe u konsiderua një simbol thelbësor i bukurisë dhe një përfaqësuese e famshme e kulturës mesdhetare jashtë vendit, duke interpretuar role të forta femërore në teatër dhe kinema.
Po ashtu është vlerësuar edhe me titullin e nderit, si “Gruaja e Evropës”, një titull nderi për gratë që kanë dhënë kontribut të veçantë në civilizimin evropian. Në biografinë e saj shkruhet se emri i saj i fëmijërisë është Irene Leleku dhe ka lindur në Korinthi, në Greqi dhe babai i saj ka qenë mësues i dramës klasike me origjinë shqiptare. “Nëna ime është esmere si unë. Ajo vjen nga Epiri, ndërsa im atë vinte sipas gjasave nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare, ose gjysmë shqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”, ka thënë ajo në një intervistë.
Irene do mbahet mend jo veç për rolet e skalitura në kinematografinë greke dhe atë botërore, por mbi të gjitha dhe për interpretimet e saj të muzikës greke, ku më e famshmja është “Zorba”.