Ndryshon juria e Këngës Magjike 2019

Sapo producenti Ardit Gjebrea lajmëroi çeljen e edicionit “Kënga Magjike 2019”, veçoi si risi këtë vit, veç votës së vetë artistëve, edhe votën e publikut. Disa javë më parë, në një postim në llogarinë e tij, Arditi shkroi: “Këtë vit në #kengamagjike, veç artistëve në netët finale, do të votojë edhe publiku. Këtë vit do të votojë edhe juria e New Artist, vetë juria këtë vit do të ketë ndryshime. Nuk po i tregoj të gjitha, di vetëm që ky edicion do të jetë thjesht ai që do donte publiku dhe artistët. Ndaj kush mendon të jetë pjesë e magjisë 2019, le të fillojë përgatitjet që tani, të tjerat na i lini ne”.

Menjëherë pas këtij lajmërimi, një pjesë e mirë e këngëtarëve kanë nisur të mendojnë për materialet e tyre për Këngën Magjike. Valon Shehu është një prej artistëve që do të rikthehen këtë vit në magjinë e edicionit të 21-të.

Veç mënyrës së votimit, këtë vit do të ketë ndryshime edhe në juri. Siç ka mësuar Indeksonline, këngëtaret Manjola Nallbani, Orgesa Zaimi dhe Orinda Huta nuk do të jenë pjesë e jurisë këtë edicion. Armend Rexhepagiqi dhe Arben Skënderi, të cilët ishin pjesë e edicionit të kaluar, do të vazhdojnë të jenë në jurinë “New Artist”. Po kështu, mësohet se një hyrje e re në juri do të jetë Jonida Maliqi, këngëtarja përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision dhe një prej vokaleve më të mirë femërorë të muzikës së lehtë shqiptare.

Për Jonidën nuk është hera e parë që ulet në karrigen e gjykueses. Ajo ka qenë pjesë e “The Voice”, një eksperiencë që e ka shijuar shumë por është ulur në karrigen vlerësuese edhe në spektakle e gara të tjera muzikore. /Revista Class/

SHKARKO APP