Në ditëlindjen e parë pa vëllanë, Barbana Dini ka një mesazh për të gjithë miqtë
Ditëlindjet për këngëtaren Barbana Dini nuk do të jenë më njëlloj. Për çdo vit, në tryezën e festës asaj dhe familjes do t’i mungojë Ergi, urimi i të cilit nuk mungonte as virtualisht në çdo vit për motrën e dashur. Sot, Barbana feston edhe një vit më shumë nga jeta duke rigjetur forcën për të vazhduar rrugën e muzikës edhe për hatër të tij.
Pak ditë më parë, Barbana iu rikthye skenës muzikore në Maratonën e Këngës në Durrës, në të cilën prezantoi edhe krijimet e reja muzikore.Në këtë rikthim, këngëtarja ka shprehur mirënjohjen edhe për publikun që e ka mbështetur gjatë këtyre muajve të vështirë.
Në një status të saj në Instagram , Barbana ka shkruar një mesazh të ndjerë. Edhe pse pa Ergin, kjo ditëlindje ka diçka të bukur që duhet shijuar: “E vetmja gjë e bukur e kësaj ditëlindjeje është dashuria, pozitiviteti dhe përzemërsia që përcillni në urimet tuaja për mua.
Të afërm, shokë, shoqe, kolegë, miq realë dhe virtualë, ju falënderoj nga zemra për urimet, edhe pse jam e vetëdijshme që ato nuk do të plotësohen kurrë. Nëse ka diçka për të cilën ndihem me fat jeni pikërisht JU.
Dhuroni sa më shumë dashuri në çdo ditë dhe me çdo person që takoni, është e vetmja gjë për të cilën ka nevojë bota sot, nuk do marrim asgjë me vete, kjo është e sigurt! Ju dhuroj gjithsecilit përqafimin më të ngrohtë”, shkruan Barbana në krah të fotos me familjen. Vëllai i këngëtares s Barbana, Ergi Didi 22 vjeç humbi jetën në një aksident rrugor nëntorin e vitit të kaluar.