Nga Columbiana te Vajza e Dimrit, ”Genesis” i një fenomeni si Tayna

Nga Redjon Shtylla

Nga Columbiana te Vajza e Dimrit, nga 1 qershori i 2018 tek 1 qershori 2026. Nuk kishte një katalog të gjatë, nuk kishte një arsenal hitesh pas vetes. Kishte vetëm një këngë. Quhej Columbiana dhe mjaftoi për tu bërë sensacion dhe clubet e natës e kërkuan me ngulmim të madh.

Tetë vite më vonë, në mbrëmjen e 1 qershorit 2026, muaji ku Tanya ka vulosur hitet edhe pse e lindur në dhjetor, në muret historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u rikthye historia e asaj vajze që këngën e parë e kthye në hit, por që koha e dëshmoi se është shumë më tepër se kaq. U shfaq një dokumentar kushtuar rrugëtimit të saj artistik, por në thelb ishte një rrëfim mbi lindjen e një universi muzikor të quajtur Genesis.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ishte një mbrëmje larg zhurmës së tepërt, mes miqsh, bashkëpunëtorësh dhe njerëzve që e kanë ndjekur me zemër rrugën e saj. Një festë jo për famën, por për procesin. Jo për shifrat, por për shpirtin. Për Taynën, për një rrugëtim global që brenda ka gjenezë të emocioneve, të luftës për të qenë zë në treg, dhe të të sjellurit një muzikë dimencionale, ku prek shpirtin, fuqizon gruan dhe ushqen trupin me kërcim.

Swiss Digital Mobile Reklama

Genesis, albumi me 13 këngë, është ndoshta pasqyra më e plotë e kësaj filozofie. Një projekt që nuk kufizohet nga zhanret, por i përqafon ato. Një album dimensional, ku secila këngë duket si një portë drejt një bote tjetër emocionale. Dhimbja dhe forca. Ringritja dhe vetmia. Sensualiteti dhe rebelimi. Tradhtia dhe dashuria. Nostalgjia dhe atdheu.

Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes dhe që më befasoi është performanca LIVE e disa këngëve nga albumi. E shoqëruar nga bendi Keli dhe Ritual’s, muzika mori frymë ndryshe. Saksafoni, handpani dhe rindërtimi organik i këngëve treguan një dimension tjetër të artistes. Një Tayna që nuk ndërtohet vetëm nga ritmi apo skena, por nga arti i pastër, spiritualiteti dhe ndjesia e gjallë që vetëm muzika autentike mund të prodhojë, një artiste me gjenezë të pasur.

Në rrëfimin e saj për albumin dhe fillimet, u rikthye edhe kujtesa e një kohe kur pak njerëz besonin. Sepse ne shpesh e kemi të vështirë të mbështesim dikë para se ta shohim të fitojë. Por dëshira e saj për të qenë zë ishte më e madhe se çdo pengesë. Edhe kur “Si Ai” u përball me bllokime e vështirësi, kënga shpërtheu brenda pak ditësh dhe vazhdon të mbetet një nga hitet globale që jehon edhe sot kudo nëpër botë, me mijëra postim në rrjete sociale edhe sot.

Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi dhe ka një kleçkë. Shumë artistë arrijnë suksesin dhe ndalen mbi të. E përdorin si stacion. Tayna e përdori si pikënisje. Pas “Si Ai” nuk erdhi heshtja. Erdhën projekte të reja, bashkëpunime të shumta, eksperimente artistike dhe në fund një album i plotë që sfidon vetveten. Kjo e bën të rrallë, e bën këmbëngulëse, e bën të vërtetë.

Në muzikën e saj bashkëjetojnë trashëgimia kulturore shqiptare, mitologjia, identiteti, ritmet moderne dhe fryma globale. Në të njëjtën kohë, jashtë skenës, gjenden edhe gjeste, donancione që nuk bëjnë zhurmë, por që kanë peshë: mbështetja për studentët e gazetarisë, kujdesi për moshën e tretë dhe dëshira për të kthyer diçka mbrapsht në shoqëri. Kjo është gjeneza e Taynës. Një artiste që nisi rrugën nga Prizreni dhe e çoi muzikën e saj në vende që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Një artiste që na rikthen tek natyra e egër e shpirtit, tek forca femërore, tek rrënjët tona dhe tek magjia e trashëguar brez pas brezi.

Nga Columbiana tek Vajza e Dimrit, rrugëtimi nuk matet me vite. Matet me transformimin e një vajze në një identitet artistik. Dhe pas tetë vitesh, ajo nuk duket sikur ka mbërritur në fund të historisë së saj. Përkundrazi. Duket sikur sapo ka hyrë në kapitullin më të rëndësishëm.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?