FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Nuk u ngopën nga Gjesti?

Nga Redjon Shtylla

Ku fle lepuri? Kjo është pyetja që ngrihet sa herë që emri i Gjestit rikthehet në qendër të vëmendjes, ku të tjerët duan diçka nga ky djalë i vogël në trup, por i madh në shpirt. Ditën e djeshme, në mënyrë të beftë dhe tendencioze, në portalin ”Sinjali” që është në pronësi të avokatit Besnik Berisha, që është përfaqësues i Erkand Shabanit (pronari i Onima-s), në gjyqin kundër artistit, u bënë publike dy video me efekt që të ngjallë me siguri reagime kundër Gjestit, ose presion Gjykatës se data e gjyqit po afron. Në fakt është e çuditshme për mua sesi një individ që mbron dhe zbërthen ligjin në Gjykatë, ka një media që pa doreza e them që ideja më dërgon edhe që mund të përdoret si propagandë, për lajme dashakeqëse dhe për cënim të së drejtës, që avokati duhet ta mbrojë përballë togave të zeza. Ku qëndron e vërteta dhe ku fillon interesi për ta mbajtur gjallë një histori që koha e ka konsumuar prej kohësh?

Të rikthehemi të gjithë tek thelbi. Ngjarja ka ndodhur më 22 shkurt, dhe pse me 3 qershor u bënë publike këto pamje? Padyshim që në fashikullin e Policisë, Prokurorisë, në dorën e Gjykatës janë, edhe pala mbrojtëse e Gjestit i ka parë këto filmime që nxjerrin vetë Gjestin në një situatë që në fakt është pranuar nga artisti, duke e pranuar fajin, por jo pa shkaqe të forta dhe të drejta. Pse erdhi rebelimi i Gjestit? Nga mohimi i së drejtave që erdhën nga puna e tij, nga imazhi që u përdor dhe nga falsifikimi i firmës së tij për të tejzgjatur një kontratë që ishte thyer me mosmbajtjen e rregullave, në këtë rast për palën e artistit, për Gjestin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Fituesi i ”Big Brother Albania Vip 4” u prangos më 11 mars dhe ka qëndruar në paraburgim një javë, dhe kjo ka ndodhur para se të arrihej marrëveshja me Prokurorinë për pranimin e fajësisë. Në momentin kur është arritur marrëveshja, kanë pushuar edhe shkaqet ligjore për mbajtjen në paraburgim, ndaj edhe është liruar. Në kuadrin e ligjit kjo është e gjithë çështja, nuk ka asnjë shtesë, apo diçka të re.

Swiss Digital Mobile Reklama

Rikthehem edhe njëherë tek publikimi i video-ve, që sipas Gjestit janë të manipuluara. ”Unë, të gjithë shqiptarëve që mund të jenë shqetësuar nga këto video, ju betohem se këto video janë të prera dhe nuk pasqyrojnë realitetin. Ku është video kur mua me drejtohet arma vetëm pse kërkoj që të më paguhet mundi im? Ku është video ku i gjithë stafi i asaj kompanie qëndron me mua i pashqetësuar dhe i parrezikuar gjatë gjithë kësaj ngjarjeje?”.

Kur Gjykata e ka kryer punën me veprën penale të Gjestit, pse u bënë publike video-t, shoqëruar me një artikull ku vë në pah paanshmërinë e Gjykatës? Të qëndrojmë të ftohtë. Gjesti nuk është kriminel, apo i fortë, ose ose kërcënues. Ju lutem! Nëse do të shkojmë tek fija e hollë, dhe shyqyr Zotit asgjë nuk ndodhi, sepse është fakt, të gjithë janë shëndoshë e mirë nga ajo ngjarje, që ende nuk kemi parë pamjet sesi është trajtuar Gjesti, pra e kemi parë vetëm variantin e artistit si keqbërës. Që nga lëvizjet e qeta të njerëzëve që shfaqen në video, ata nuk kanë shfaqur asnjë tension të shtuar, por siç mund të shihet në video-n e bërë virale, debatojnë me Gjestin dhe nuk bëjnë veprime që të tregojnë frikë, ose panik, dhe për më tepër panik nga arma.

Unë e lexoj si fushatë, e cila po merr gjithnjë e më shumë trajtat e një propagande të mirëorganizuar, për të orientuar perceptimin publik. Në kulmin e sezonit veror, kur artistët janë të angazhuar me koncerte, projekte dhe një garë të fortë, rikthimi ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje. Askush nuk e justifikon dhunën dhe askush nuk dëshiron ta minimizojë peshën e një ngjarjeje të tillë. Por po aq e rrezikshme është edhe përdorimi i saj si instrument për të ndërtuar narrativa. Video të shkëputura nga konteksti, pamje të përzgjedhura për të rritur efektin dramatik dhe materiale që rishfaqen pas muajsh, i shërbejnë vetëm ndikimit emocional mbi publikun që Gjesti, njeriu me popullarit të lartë në rrjet, të ndikohen, pra që të dalë keq. A nuk është kjo mënyrë edhe si një lloj provokimi ose presioni emocional për atë çfarë ka ndodhur, dhe mos po kërkohet që Gjesti të bëjë prap të njëjtën gjë?

Kur një ngjarje e konsumuar prej kohësh rikthehet vazhdimisht në të njëjtën formë, ajo nuk i shërben informimit. Duket si një përpjekje e qëllimshme për të ushqyer paragjykime, për të njollosur një emër dhe për të mbajtur gjallë një narrativë që publiku e ka gjykuar tashmë vetë. Por ka diçka që nuk mund të fshihet me tituj, insinuata apo baltë. Është dashuria e njerëzve. Dhe Gjestin e duan shqiptarët kudo që janë, sepse kanë parë tek ai diçka që nuk blihet e nuk sajohet: sinqeritetin, thjeshtësinë dhe forcën për të mos u dorëzuar.

Gjestin e kanë bllokuar një herë, dy herë, tre herë. Dhe sot pyetja nuk është më pse ndodhi herën e parë. Pyetja është pse vazhdon? Sepse kur e njëjta skemë përsëritet pa pushim, ajo pushon së qeni rastësi. Dhe kur një rastësi pushon së qeni rastësi, mbetet vetëm qëllimi.

A nuk u ngopën?

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?