Olta Gixhari rikthehet në film, ky është projekti më i ri…

Regjisori Erion Kame është në fazën finale për të sjellë filmin e tij të metrazhit të gjatë – “Një jetë me ty”.

Për KultPlus regjisori ka treguar se në fillim të marsit stafi i ekipit filmik do të hyjë në xhirime dhe sipas tij në tetor do të jetë edhe premiera.

Regjisori Kame për KultPlus tregon se dëshiron që filmi me historinë e tij të jetë një atraksion për këtë vend. Dëshiron të tregojë vendet e bukura që i kemi e të cilat sipas tij janë mjaftë shumë, duke treguar edhe histori për njerëz “të bukur” me problematika si të gjithë qytetarët e botës. Sipas tij dëshira për të folur me gjuhën e filmit është një dëshirë që të gjithë e kemi thellë-thellë brenda vetes.Filmi “Një jetë me ty” ngre një pyetje shumë të thjeshtë: Çfarë është martesa?

“Është odiseja 10 vjeçare e një çifti të martuar. Pra, që nga njohja e deri pas dhjetë vitesh më vonë. E veçanta është se e njëjta histori rrëfehet nga të dy bashkëshortët. Këndvështrimet e tyre janë krejtësisht të ndryshme. Po ashtu edhe qëndrimet. Në një moment të caktuar të filmit, marrëdhënia tyre rrezikohet seriozisht nga hyrja në jetën e tyre e një vajze e cila punon me burrin. Nëse ka një histori mes tyre, apo kjo është pjellë e fantazisë së gruas, por edhe e të shoqit, kjo është për t’u parë”, tregon regjisori, duke shtuar se të dy personazhet e duan shumë njëri-tjetrin dhe kjo ka shumë rëndësi në një marrëdhënie bashkëshortore. Por a është e mjaftueshme? A i përgjigjemi dot pyetjes:

Çfarë është martesa?

Në rolin e bashkëshortit në film do të jetë aktori Dritan Arbana, i cili ka mbaruar studimet për aktor në Australi ku ka pasur shumë eksperienca dhe punë. Për publikun shqiptar ai njihet me projektin shqiptaro-australian “Bloodlands”, si producent dhe aktor. Në rolin e gruas do të jetë aktorja e teatrit dhe ekranit, Olta Gixhari.

“Ne kemi filluar provat me Tanin dhe Oltën dhe mendoj se çdo gjë ka shkuar shumë mirë. Presim në fundjavë edhe vajzën që do ti bashkëngjitet projektit tonë. Pjesa tjetër e aktorëve do të jenë emra shumë të njohur për publikun, por do të preferoja që ky i fundit të vinte vetë në kinema për t’i parë”, u shpreh ai duke vlerësuar lartë aktorët të cilët janë pjesë e ekipit të filmit.

Edhe pse buxheti i këtij filmi është shumë i kufizuar, ekipi i filmit po bën të gjitha përpjekjet që lokacionet të gjenden mes miqsh dhe dashamirësish. Deri në këtë moment atyre u janë gjendur shumë të tillë.

“Sigurisht që vendi kryesor i xhirimeve është një shtëpi. Kjo shtëpi është vënë në dispozicion nga Dritan Arbana që ka lënë banesën e tij për të zhvilluar xhirimet. Kjo është një sakrificë e jashtëzakonshme nga ana e tij, pasi vendet e xhirimit mund të krahasohen me një fushëbetejë. Por sakrifica të tilla bëjnë njerëz të cilët ia dinë vlerën artit dhe konkretisht filmit. Shtëpia e Tanit nuk është zgjedhur vetëm se s’kishim alternativë tjetër, por në radhë të parë është një shtëpi e ngrohtë, dinjitoze dhe përfaqësuese për çiftin e filmit”, u shpreh regjisori Kame, i cili kohë më parë pati dhënë komedinë më të njëjtin titull në Teatrin Kombëtar.Komedia “Një Jetë Me Ty” ka qenë një projekt i Teatrit “A. Moisiu” të Durrësit me Ministrinë e Kulturës. Premiera është dhënë në 9 maj 2016 në Teatrin Kombëtar, kurse ka vazhduar deri në dhjetor 2017 në Korçë. Komedia ka pasur rreth 30 repriza.

“Çifti i aktorëve në skenë, por edhe në jetë, Romir Zalla dhe Suela Bako, janë ata që i dhanë jetë kësaj vepre për herë të parë. Po ashtu edhe aktorja Vilma Hodo e më pas Ina Gjonci. Ka qenë një eksperiencë e paharruar dhe kemi kaluar shumë mirë së bashku, dhe teatri ta jep këtë mundësi. Unë kujtoj çdo moment me ta”, u shpreh regjisori mbi komedinë duke shtuar se filmi ka shumë të përbashkëta me komedinë, por kësaj radhe gjuha e shprehjes dhe konceptimi është tjetër, pasi ai ka dëshirë që në film të flasë me nota më romantike dhe pak më “seriozisht”.

“Qëkur kam shkruar komedinë kam përdorur një gjuhë filmike. Megjithatë, tashmë mund të them që shumë prej dialogëve janë redaktuar, pasi filmi ta jep këtë mundësi. Diçka që mund të thuhet, shihet. Po ashtu janë shtuar karaktere dhe personazhe të tjerë të cilët do ta shtyjnë më përpara historinë në mënyrë më organike. Ajo që i bashkon do të jetë qëndrimi. Ky mbetet i pandryshuar. Pra, ideja për të mos dhënë mesazhe të drejtpërdrejta, por t’ia lëmë në dorë shikuesit, nëpërmjet qëndrimit tonë”, është shprehur regjisori Erion Kame.

Ai tregon se ka shumë arsye të cilat e kanë shtyrë të shndërrojë komedinë në një skenar për film të gjatë. Në radhë të parë për të ka qenë dëshira për të fiksuar në ekran një histori e cila nuk i përket vetëm regjisorit. E as shqiptarëve. Është një histori e cila i flet të gjithë shoqërisë botërore. Dhe jo vetëm sot.“Një Jetë Me Ty” është projekt filmik i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në kuadrin e filmave të pavarur – indipendentë, me shtëpi filmike “Black Box” e përfaqësuar nga Tan Kazazi dhe së fundmi filmit i është bashkëngjitur edhe shtëpia e mirënjohur filmike “Kinostudio Dardan” me përfaqësues Gent Prizreni. Skenari ka fituar në bordin e QKK-së që në fund të qershorit të vitit të kaluar./KultPlus.com

Image

SHKARKO APP