Pas Feros, edhe Arbenita Ismajli vihet nën hetim

Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetimet zyrtare ndaj modeles së njohur Arbenita Ismajli, për shkak të dyshimeve se ajo ka refuzuar me dashje të respektojë një vendim të plotfuqishëm gjyqësor lidhur me të drejtën e kontaktit të ish-bashkëshortit të saj, reperit Feronit Shabani,

I njohur me emrin artistik “Fero”, me vajzën e tyre të mitur, Nina Shabani. Sipas një dokumenti të siguruar nga Gazeta Insajderi, me datë 13 qershor 2025, Prokuroria ka konfirmuar nisjen e hetimeve ndaj Ismajlit. Ajo akuzohet për veprën penale të mosbindjes ndaj vendimit gjyqësor, një shkelje që në kontekstin ligjor të Kosovës mund të sjellë pasoja serioze për prindin kujdestar.

Në dokument thuhet se më 19 mars 2025, Arbenita Ismajli ka qenë në dijeni të revokimit të një autorizimi të mëparshëm të dhënë nga Fero, i cili e lejonte atë të merrte vajzën e tyre jashtë territorit të Kosovës. Pavarësisht revokimit, Ismajli nuk i ka mundësuar kontaktin e reperit me vajzën, duke vepruar në kundërshtim me aktvendimin e formës së prerë të datës 12 qershor 2024, i cili përcaktonte takime dy herë në muaj, gjatë fundjavës së parë dhe të tretë përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan.

“Nga data 19.03.2025 e deri më sot, e pandehura nuk i ka krijuar asnjë mundësi kontakti të dëmtuarit me fëmijën e tyre”,-thuhet në dokumentin zyrtar të prokurorisë. Një tjetër zhvillim kyç në këtë rast është aktakuza e ngritur më 21 dhjetor 2024 nga prokurori për të mitur, duke sinjalizuar që procedurat ligjore ndaj Ismajlit kanë nisur më herët se sa është bërë publike.

Fero përballet me tri akuza të ndara penale nga po e njëjta prokurori, ndodhet nën hetime, por rasti i Arbenitës duket se po zgjerohet në një linjë të ndarë hetimore që lidhet me të drejtën e kontaktit prindëror dhe zbatimin e ligjit mbi mbrojtjen e të miturve. Zhvillimet në këtë rast pritet të trazojnë sërish opinionin publik, jo vetëm për shkak të profilit të lartë të të dy përfshirëve, por edhe për çështjet delikate që lidhen me prindërimin, të drejtat e fëmijëve dhe rolin e drejtësisë në një shoqëri që ende përpiqet të balancojë ligjin me opinionin.

SHKARKO APP