Pse ike nga Shqipëria? Gent Bejko: Për të bërë përpara aty duhet të jesh pak skuth
Aktori shqiptar, Gent Bejko i cili la Shqipërinë për të emigruar bashkë me familjen në Kanada, ka rrëfyer se si është jeta në vend të huaj. Në një lidhje me emisionin “Vizioni i Pasdites”, Bejko ka rrëfyer se prej 9 vitesh jeton dhe punon në Kanada. Ai ka rrëfyer se nuk është bërë aspak pishman për zgjedhjen e tij për të jetuar në Kanada, pasi në Shqipëri duhet të kesh pak “skuth” për të ecur përpara.
Brikena Prifti: Sa kohë është bërë që nuk të shohim në skenën shqiptare?
Gent Bejko: U bënë 9 vite në Kanada.
Si kanë qenë këto vite? Je i lumtur?
Të lumtur? Lumturi është fjalë e madhe, them që ka qenë një vendim i marrë në ato kohë në ato rrethana, dhe nuk na ka rezultuar keq.
Si erdhi vendimi?
Nuk ndodhi asgjë, kam patur gjithmonë dokumentat kanadeze, prej vitit 2005. Ishte një moment që ose do i djegësh ose do t’i mbash, në atë periudhë vendosëm t’i mbajmë. Kishte ardhur një moment që edhe vetë doja një sfidë më të madhe. Edhe rrethanat në atë kohë, Shqipëria ishte në një periudhë tjetër ndryshimi, nuk është se shikoja ndonjë ndryshim të madh. Kisha vetëm kuriozitetin për të parë, rezultoi jo keq ndryshimi.
Xhoi ka qenë dakord?
Vendimet vijnë bashkërisht. Kemi mbështetur njëri-tjetrin. Në një moment ajo, në një tjetër unë.
Pak zhgënjime ke patur, deri sa le pas diçka?
Ka patur momente, pastaj varet se si ti reagon. Ka patur momente edhe kur ndihesh i pavlerësuar. Unë kam qenë një çikë jo fort i besuar për njerëzit jovizionar, që nuk arrinin të kuptonin atë që unë mund të bëj. Çdo njeri ka çmimin e vet.
Ka diçka që e ke peng?
Gjithë secili nga ne bën rezymetë e veta, dhe mendoj që gjithmonë kërkon të bësh diçka më mirë.
Çfarë mendon se ke bërë gabim?
Duke patur parasysh rrethanat që kam jetuar në Shqipëri, ndoshta duhet të isha bërë shumë skuth, se kam vënë re se skuthat kanë ecur përpara në shoqërinë shqiptare.
Ndoshta të vjen keq?
Jo keq nuk më vjen.
Jo e kisha ndoshta të vjen keq që nuk ecin njerëzit e drejtë.
Po, por këtë nuk është se e gjen vetëm në Shqipëri, e gjen gjithëandej. Por në kohën kur kam qenë në Shqipëri kisha ende shpirtin revolucionar, ndoshta sot do isha më pak agresiv, më i matur. Por gjithsesi e di që edhe në këtë moshë nuk do bëja kompromis.