Pse Noizy shpërtheu kundër gazetares?

Në një postim në Instagram, Noizy e quan gazetaren Dasara Karaiskaj “dhëmbëkalbur”. “Repi në Shqipëri ka ardh (sic) në 2008/2009,” shkruan më pas reperi. Reagimi i ashpër i Noizy-t lidhet me një intervistë të Karaiskajt për Couleur 3 (radio zviceriane) në lidhje me zhvillimin e muzikës hip-hop në Shqipëri. Ndër të tjera, ai publikoi edhe një intervistë të saj gjatë vitit 2014/2015, ku Karaiskaj tregon se personazhi që do të donte të intervistonte ishte Noizy.

Sipas Karaiskajt, Mozzik dhe Noizy duhen hedhur në plehra. “Po të duash të përmend dhe emra konkretë, thotë ajo për Couleur3. “Kemi një personazh këtu që quhet Mozzik që do bënim mirë ta merrnim dhe ta hidhnim në një kosh plehrash për repin që pretendon se bën. Të njëjtën gjë do të thoja edhe për Noizy-n.”

Në vijim, shton se “ka edhe muzikë rep të bërë mirë”, duke theksuar artistët e Kosovës. Ndër të tjera, Karaiskaj vlerëson si hip hopist me emër Stresin. “Disa këngë në repertor i ka që janë bërë hite dhe duhen nga publiku ndër të tjera. Pastaj do të thoja që ai e personifikon totalisht imazhin e repit me armë, me burg, me femra, kështu që pse jo. Jo mendoj që ka edhe vokal shumë të mirë dhe në krahasim me ata që përmenda, është….e dua Stresin, ok?”.

Përpara se të kalojmë sërish te reagimi i Noizy-t, lind nevoja të theksojmë se ajo që thotë Dasara qëndron, por nuk është tipar përcaktues për muzikën e bërë mirë, në këtë rast muzikën rep. Repi i Kosovës me të vërtetë tingëllon më këndshëm për shkak të gegërishtes që ka fjalë më të shkurtra dhe më shumë muzikalitet, por kjo nuk i bën më pak të suksesshëm repistët e Shqipërisë.

Së dyti, tema si “burgu, femrat, armët” janë pjesë e stilit të jetesës së kulturës së hip-hopit në tërësi, por me zhvillimin e saj, si çdo industri tjetër, ndryshuan edhe tematikat. Sot, në botë, muzika rep është ndryshe te Kanye e Jay-Z dhe ndryshe te Travis Scott, që është komplet tjetër gjë. Rep bën edhe Fedez i Chiara Ferragni-t që me ç’dimë nuk ka ndonjë sherr apo konflikt me policinë.

Nisur nga zhvillimi i kësaj rryme muzikore në Shqipëri e Kosovë, duket se një pjesë e mirë e artistëve njihen për të paktën një tipar identifikues: Stresi për faktin që i qëndron besnik temave të “femrave, armëve, burgut”, Noizy për makinat dhe përdorimin e merengue (ritëm afro-kuban), Buta për muzikën trap, lloj i hip hopit etj, Ledri e Lyrical Son për shpejtësinë gjatë këndimit etj.

Kthehemi te Noizy. I kontaktuar nga Anabel, ai tha se reagimi i tij erdhi si pasojë e faktit që Karaiskaj u shpreh se “në Shqipëri nuk ka muzikë rep”. “Thotë që Shqipëria s’ka rep, vetëm Kosova. Shqipëria ka pas rep në momentin që kur kemi ardhur ne. Fakti që ajo mendon që unë s’bëj si repist s’ka gjë, se s’ka ngel një dhëmbëkalbur të më vlerësojë, por të mos thotë që këtu s’ka rep.”

Përsa i përket debatit (të njëanshëm deri pak orë më parë), mes Dasarës dhe Noizy-t, kujtojmë që:

1. Tre vite më parë, kur Noizy i hodhi publikut 1000 dollarë gjatë një koncerti, Karaiskaj reagoi në Facebook duke shkruar: “I turpshëm, injorant, prepotent, arrogant, fyes…me pak fjalë skandaloz si xhest[sic]. Po xhanëm çfarë do presësh. Çfarë dëmi për brezin që e ndjekin dhe e duan.”

Sipas saj, Noizy duhet t’ia jepte ndonjë të varfëri në pikë të hallit dhe “jo t’i hidhte si dëborë duke i trajtuar si legena fansat”.

Mendimi për veprimin në fjalë është diçka subjektive, por nëse e bën “skandaloz, arrogant, fyes” fakti që nuk ia dha një të varfëri, historitë e Noizy-t me bamirësitë janë të shumta. Në disa raste ka dhuruar vetë fonde e në disa raste ka përdorur edhe famën për çështje emergjente, si rasti i një vogëlusheje që u dogj me qumësht.

Në po të njëjtën deklaratë, Karaiskaj shtoi: “Nga Noizy kanë frikë të gjithë [mediat]. Se ai nevrikohet kollaj dhe i trajton edhe më keq akoma nga ç’i trajton zakonisht.”

Mund të jetë e vërtetë, por s’dimë ta themi me siguri. Kur këtu në Anabel e kemi vlerësuar a kritikuar, reperi nuk ka reaguar kurrë.

2. Ironizoi një status të Noizy-t mbi suksesin. “I ka ardhur dita Noizy-t, e ka të thjeshtë suksesin Noizy dhe të gjithë si puna e Noizy-t që mund të bëjnë edhe një [bën me shenjë një po*dhë] që të bëhet lajm.”

3. Nisur nga një foto e Noizy-t ku dukej i gjakosur për një projekt kinematografik, Karaiskaj u shpreh se ”ai ka bërë humor lacash, humor kinez ose kaps”.

Reagimi së fundmi, ishte reagimi i parë nga ana e reperit. Për hir të së vërtetës, nuk është hera e parë që Noizy reagon në të tillë formë; kujtojmë këtu sherrin me Ledion Liçon dhe Olti Currin. A ishte mënyra më e edukuar për t’iu kundërpërgjigjur Dasarës? Jo. A ishte e kuptueshme? Deri diku. Historia ka treguar se nëse personazhet e showbiz-it trajtohen vetëm si personazh (Noizy), duke harruar njeriun që qëndron pas personazhit (Rigelsi), nuk është çudi të të kthehen në gjuhën tënde.

SHKARKO APP