Realizoi videon “Yummy” të Justin Bieber, flet shqiptari Arben Vllasaliu
Shqiptarët tashmë janë pjesë e thuajse çdo sfere në rrafshin ndërkombëtar. Emra të dëshmuar sot përfaqësojnë më së miri vendin në muzikë, sport e shumë fusha të tjera, duke bërë që termi “shqiptar” për të huajt të mos jetë i panjohur. Këngëtari me famë botërore, Justin Bieber, ia besoi punën e tij pikërisht një shqiptari, për paraqitjen vizuale të projektit të tij më të fundit, që njëherësh shënon edhe rikthimin e tij në muzikë pas tri vitesh mungesë.
Kënga “Yummy” e Justin Bieber është vizualizuar në versionin audio me tekst nga shqiptari Arben Vllasaliu, i cili ka bërë një përshtatje të këndshme të këngës, me atë se çfarë paraqitet para fansave kur e dëgjojnë atë në YouTube. Në një prononcim ekskluziv për Telegrafin, Arben Vllasaliu tani me banim në Zvicër, ka treguar se si u ndje kur pa punën e tij të citohej në videon “Yummy”, e cila për momentin është ndër këngët më dominuese në top listat ndërkombëtare. Emri i tij citohet në këtë video, e cila vetëm deri më tani është shikuar jo më pak se 15 milionë herë.
“Natyrisht se jam i lumtur që pata rastin të krijoj video animacion për një artist me influencë aq të madhe siç është Justin Bieber. “Yummy” është kënga më e re e Justin Bieber pas tri viteve pushim në karrierën e tij muzikore, dhe ky nuk është projekti im i vetëm për Bieber, janë edhe disa këngë të tjera që pritet të publikohen shumë shpejt për të cilat jam duke punuar vazhdimisht”.
Animatori bëri të ditur përgjatë kësaj interviste se si erdhi edh deri te deri te vënia në kontakt me super yllin botëror. “Falë punës time të pa ndërprerë, kam pasur rastin të punoj për projekte dhe kompani të ndryshme botërore siç janë: “Ford”, “Samsung”, “Dr.Pepper”, “Waterdrop”, “Wacom” si dhe kjo e fundit me “Universal Music Group” e shumë të tjera, njashtu kam qenë pjesëmarrës në shumë ekspozita kolektive dhe publike. Disa prej tyre janë ekspozita publike, që janë shfaqur për një muaj rresht në objektin më të famshëm të New York-ut “One Times Square NYC”, spektakli i modës “Pitti Immagine Uomo” në Firence të Italisë dhe shume ekspozita të tjera, si dhe jam jashtëzakonisht aktiv në rrjetet sociale ku unë i ndaj videot dhe projektet e mia me të tjerët, besoj që këto janë disa prej faktorëve kryesorë që puna ime ka arritur të tërheqë vëmendjen e artistit në fjalë”, ka thënë animatori kosovar.