Sa i çuditshëm paska qenë takimi i parë! Jonida Shehu tregon njohjen me bashkëshortin “Ç’është ky?”
Historia e tyre e dashurisë ka qenë gjithmonë larg vëmendjes mediatike, por shumë afër interesit të të gjithëve. Jo aq për mungesën e dëshirës së Jonidës sesa për profilin tërësisht të tërhequr të Albi Çifligut, bashkëshortit të saj, skenograf i shumë produksioneve të rëndësishme televizive.
E ftuar këtë të shtunë në “Thumb”, Jonida zbuloi më shumë edhe për njohjen me Albin, të cilin, tashmë e njohim të gjithë nga ato pak foto ku janë parë të dy apo edhe ndonjë rastësore që vetë moderatorja ka publikuar në profilet e saj.
Takimi i tyre i parë paska qenë jo edhe aq impresionues, siç tregon Jonida: “Ai është skenograf dhe kishte ardhur tek Ora News për të bërë një pjesë të skenës. Kishim mik të përbashkët një vajzë. Shkova një ditë në kafen e punës dhe gjej shoqen time me një djalë që ishte i mbuluar nga mjekra dhe i dukeshin vetëm sytë që i shkëlqenin, vetullat e trasha”, – tregon Jonida pa e fshehur përshtypjen e parë (edhe pse jo aq e mirë që në fillim).
“Ishte veshur me një bluzë me stampa, me xhinse të grisura, xhaketë motori, kaskën e kishte aty. Thashë ‘Ç’është ky’? Ulemi në tavolinë, pimë kafen, kjo shoqja jonë na prezantoi. Ai e pyeti: ‘Kush është kjo goca?’. Ajo i tha: ‘Kjo është prezantuesja, pra’”, – rrëfen më tej Jonida me të qeshur.
Kaq ishte dhe Albi kishte filluar të gjendej më shumë në Ora News, ekrani në të cilin Jonida punonte në atë kohë. Pastaj kaluan ditët, javët dhe pas pak kohësh ajo kuptoi se po e shihte Albin pak më shumë se ç’duhet. Por nuk ishte edhe aq e thjeshtë të merrte guximin. Albi, siç thotë Jonida, kishte frikë nga një refuzim i mundshëm, kështu që duhej të sigurohej më parë: “Me zor të madh e mori guximin. Ishte njeri që e kishte shumë frikë përgjigjen ‘Jo’ prandaj”,- tregoi ajo.