Stilistët nga Kosova së shpejti një linjë veshjesh me divën Beyonce

Diva e muzikës Pop dhe R&B, Beyonce do të nxjerrë së shpejti në treg një linjë veshjesh të dizenjuar nga dy stilistët e talentuar nga Kosova, Kujtim dhe Merita Berisha që njihen ndryshe me brandin Kujta & Meri. Lajmin e ka dhënë vetë stilisti në studion e emisionit “Shqipëria Live” në Top Channel, ndërsa dy bashkëshortët folën për bashkëpunimin me këngëtaren e famshme Beoynce Knowles.

“Do të dalë shumë shpejt linja Beyonce, tash e bëmë një lajm. Pra një linjë Beyonce nga Kujta dhe Meri që do të thotë do qëndrojmë tek ky stil por me një thjeshtësi, që do të ketë kosto të tjera, pra që edhe njerëzit e tjerë të kenë mundësi ti blejnë. Pra do jetë një linjë që do tregtohet në të gjithë botën. E kemi biseduar dhe shumë shpejt do të vijmë me këtë projekt”-tha Kujtim Berisha.

Ndërkaq bashkëshortja e tij, Merita tregoi gjatë emisionit emocionet e përjetuara në momentet e para kur morën lajmin se Beoynce kishte përzgjedhur fustanin e tyre për ta veshur në një festë mes yjesh të muzikës dhe artit botëror. Në dhjetor të vitit të kaluar, Kujta dhe Meri u vendosën në qendër të medias në gjithë botën, pasi Beoynce veshi fustanin e stiluar prej tyre në në përvjetorin e 50-të të P.Diddyt. Këngëtarja u pa në krahët e burrit të saj, reperit Jay-Z, e veshur me një fustan të zi, elegant dhe të zbukuruar me gurë të çmuar në njërën anë.

“Isha në gjumë dhe Kujta më thirri dhe më tha shihe pak këtë postimin. U hodha përpjetë si fëmijë”-tha Merita Berisha. Ajo shtoi se do të dëshironte shumë që në të ardhmen të krijonte edhe për një prej ikonave të Hollivudit si Meryl Streep, të cilën e adhuron si aktore.

Ndërsa bashkëshorti i saj, Kujtim Berisha theksoi se në fillim nuk e besonte kur pa lajmin që ia kishin dërguar fëmijët e tij se tashmë Beoynce kishte zgjedhur fustanin e stiluar prej tyre. Të pyetur nëse do të kishin dëshirë të stilonin veshjet e dy këngëtareve të famshme me origjinë nga Kosova, Dua Lipa dhe Rita Ora, Kujtimi u shpreh se janë të mirëpritura. Fustani i veshur nga Beoynce u komentua pozitivisht nga shumë prej mediave prestigjoze ndërkombëtare, çka ka ngritur tashmë në një nivel global emrin e 2 stilistëve nga Kosova, Kujta & Meri.

Shqipëria Live 2020-2021

SHKARKO APP