”Sunny Hill” në Tiranë, zbulohen detajet e festivalit të Dua Lipës
Atmosfera elektrizuese që u krijua në festivalin “Sunny Hill” që u mbajt për katër ditë në Prishtinë pritet që të jetë e njëjtë edhe në Tiranë në datat 26-28 gusht ku për tri ditë me radhë mijëra të rinj do të argëtohen nën tingujt e muzikës.
Përfaqësuesi i Sunny Hill, Alban Kastrati, zbulon për Gazetën “Si” më shumë detaje rreth festivalit Sunny Hill në Tiranë. Ai thotë se edhe pse nuk ishte planifikuar të mbahej që këtë vit, pritet të jetë po aq i suksesshëm sa ai i mbajtur në Prishtinë.
Edicioni i parë i këtij festivali do të mbahet në Parkun e Liqenit Artificial, ku tashmë kanë nisur edhe përgatitjet për vendosjen e skenës ku do performojnë yjet e muzikës të ftuar nga Dua Lipa në 3 ditët e Sunny Hill Festival.
“Sunny Hill Festival Tirana do të mbahet në hapësirën e Liqenit Artificial të Tiranës, një zonë shumë e bukur dhe e përshtatshme që njerëzit të vijnë edhe në këmbë në festival nga të gjitha pikat kyçe të qytetit”, shprehet Kastrati, ndërsa shton se ky lokacion mundëson që të mos bëhet asnjë tollovi në qytet.
Biletat për festivalin aktualisht janë në shitje online, por Kastrati thotë se nuk ka bileta ditore, por vetëm bileta për një edicion të festivalit që është 100 euro për momentin.
“Momentalisht, nuk kemi bileta ditore, por bileta për një edicion të festivalit edhe për pak orë është 100 euro për tri ditët e festivalit, që kur zbërthehet në ditë i bie pak më shumë se 30 euro në ditë për një lineup që është jashtëzakonisht interesant dhe i paparë ndonjëherë në Shqipëri”, sqaron më tej Kastrati.
Çmimet e biletave janë në ndryshim, pasi biletat aktuale sipas Kastratit janë bileta ‘early bird window’ (biletat kur fansat rezervojnë shumë përpara një ngjarjeje). Më tej do të vijojnë ‘regular ticket’, shitjet e të cilave ende nuk kanë filluar ku çmimi do të jetë 120 euro dhe mund të blihen deri në ditën e fundit. Ndërsa biletat VIP, çmimi i të cilave është 350 euro, do të ndalen më herët.
Mënyrat e blerjes së biletave janë si online, ashtu edhe fizikisht. “Biletat mund të blihen online në sunnyhillfestival.com dhe tek myticket.al, ndërsa prej ditës së nesërme (17 gusht) edhe në pikat e Western Union”, thotë përfaqësuesi i Sunny Hill.
Ai shton se gjithë pagesat për pije dhe ushqim në festival do të bëhen cashless (pa para në dorë, me kartë online). “Është tejet e rëndësishme që pjesëmarrësit në festival ta shkarkojnë aplikacionin zyrtar të Sunny Hill nga iOS (për iPhone) dhe Google Play për telefonat Android, që të kenë mundësi blerjeje në festival”, vijon më tej Kastrati.
Ndonëse janë konfirmuar 8 emrat e parë të artistëve të cilët do të performojnë në një prej 3 mbrëmjeve të eventit muzikor si: Action Bronson, DJ Regard, Dafina Zeqiri, Tananai, Elgit Doda, Dren Abazi dhe reperi italian Fedez, Stormzy përfaqësuesi i Sunny Hill, Alban Kastrati, nuk e konfirmoi nëse Dua Lipa do të performojë në Tiranë. Ai thotë se line up që zbulohet do të bëhet publik në faqet zyrtare, por priten të jenë pjesë e koncertit artistë të mëdhenj ndërkombëtarë dhe lokalë.
“Artistët e konfirmuar tashmë janë bërë publik në të gjitha kanalet zyrtare të festivalit. Mbrëmë kemi zbuluar Stormzy, një hip hop artist tepër të rëndësishëm në skenën botërore të muzikës, dhe një fitues të shumë çmimeve ndërkombëtare për muzikën e zhanrin të cilin ai e bën. Do të kemi edhe shumë emra tjerë të rëndësishëm që do të zbulohen në orët dhe ditët në vijim”, shprehet Kastrati.
Duke e cilësuar si një event shumë të madh kulturor, Kastrati thotë se pritet një pjesëmarrje e madhe edhe në Tiranë. “Ne presim të kemi shumë pjesëmarrës në festival, por momentalisht nuk e kemi një numër të saktë sepse biletat janë në shitje dhe për çdo moment numri i pjesëmarrësve është në rritje. Me shifra të sakta do të dalim në një moment tjetër”, thotë ndër të tjera ai.