Videoklipi i Dafina Zeqirit ka një mesazh të veçantë (VIDEO)
Një ekip me të paktën 20 njerëz punuan për këngën e fundit të Dafina Zeqirit, “Merri Krejt”, e cila pati premierën dje. Teksti, i shkruar nga Elinel, flet për një raport ku dashuria nuk mjaftoi dhe gjithçka u kthye si boomerang.
Koncepti i videoklipit i mjaftueshëm sa për një film, është i tillë: Dafina përpiqet të vazhdojë projektimin e një roboti të lënë përgjysmë. Ajo bën maksimumin e saj, mundohet ditë dhe natë dhe më në fund ia del me sukses të krijojë një version robotik të vetes. Në fund, në pikën kulminante, gjatë një përleshjeje, roboti vret Dafinën.
“Mesazhi i videos është shumë i qartë: Njerëzit që i përkrah, që ua do të mirën, janë ata që në fund të japin goditjen më të madhe”,-shkruan dikush në YouTube. “Nga një presion i vazhdueshëm ndryshojmë dhe transformohemi pak nga pak çdo ditë në robotë, derisa humbin veten dhe në fund ngelet shëmbëllimi ynë robotik”,-e koncepton dikush tjetër. Mesazhi i videos mund të jetë edhe ai që ndonjëherë vetja jonë është armiku ynë më i madh, por këtu kemi pak moskoordinim me tekstin e këngës që dukshëm flet për një raport me dikë tjetër.
Në YouTube, është gati e pamundur të gjesh një koment negativ, pasi të gjithë kanë vlerësuar performancën fantastike të Dafinës, qoftë në aktrim, qoftë në grim (Arbër Bytyqi) dhe flokë (Gent Azemi), qoftë në veshje (Drenusha Xhara). Videoklipi për të cilin u kujdes Dina Morina (regjisore), Petrit Ukëhajdaraj (kineast, fotograf) dhe Lirion Metushi (editor) mbyllet me thënien e shkrimtarit dhe gazetarit amerikan Chuck Palahniuk, “Qëllimi ynë nuk është të jetojmë përgjithmonë, qëllimi ynë është të krijojmë diçka që do të jetojë përgjithmonë”.