Vulin jep dorëheqje nga posti i drejtorit të inteligjencës së Serbisë
Shefi i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka dhënë dorëheqje nga detyra.
Lajmin e ka dhënë vetë Vullini, i cili është shprehur se SHBA-ja dhe BE-ja po kërkojnë kokën e tij sin parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë.
“SHBA-ja dhe BE-ja po kërkojnë kokën time si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë, unë nuk jam shkaktar i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe, por nuk do ta lejoj veten të jem shkaktar i shantazheve dhe presionit ndaj Serbisë dhe botës serbe. Prandaj, parashtroj dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i drejtorit të BIA-s”, thuhet në njoftim.
Më 11 Korrik, Vulin ishte futur në listën e sanksioneve amerikane.
Sipas Thesarit, Vulin ishte përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara axhendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
Sipas njoftimit, ai po ashtu ishte përfshirë në krim të organizuar transatlantik, në operacionet joligjore narkotike dhe në shpërdorim të detyrës zyrtare.
Në një nga kritikat e fundit kundër tij, ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, si dhe BE-ja, kritikuan pjesëmarrjen e Vulinit në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë, në maj të këtij viti.