Zhgënjim nga shtetet fqinje, zero pikët për Shqipërinë. Anxhelën e vlerësojnë 4 shtete suprizë
R.Shtylla
Aleanca mes shteteve është kryesore në Eurovision. Edhe pse Paul Jordan, ekspert i festivalit Europian u shpreh se Anxhela Peristeri me këngën “Karma” kishte shance për të fituar ose për të dalë në një vend të mirë, rezultati në finalen e madhe ndodhi ndryshe. Shqipëria doli në vendin e 21-të, duke grumbulluar vetëm 57 pikë.
Ishin shtete si Holanda që na dha vetëm 1 pikë, San Marino 2 pikë, 7 pikë nga Danimarka, ndërsa Malta ka dhënë vlerësimin maksimal me 12 pikë, duke grumbulluar 22 pikë nga juria profesioniste. Zhgënjimi më i madh erdhi nga shtetet fqinje si Italia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut, të cilat nuk dhanë pikë për Shqipërinë, por ndërkohë juria shqiptare vlerësoi vlerësoi fqinjët, pasi dihet që një pjesë e mirë e vlerësimit është gjeopolitik. Këngët e fqinjëve ishin materiale të mira të cilat u vlerësuan edhe në finale.
Por këtu është edhe kleçka e jurisë e cila i orienton votat në finale sipas interesave. Vendet fqinje e kanë votuar Shqipërinë dhe përfaqësuesen Anxhela Peristeri, por kjo ndodhi vetëm në gjysmë finalen e dytë, ku falë votave të tyre Shqipëria u bë pjesë e finales së madhe. Siç mund ta shihni në tabelën e mëposhtme, Shqipërinë e kanë votuar juria e San Marinos me 7 pikë, kurse në finale i dhanë vetëm 2 pikë. Estonia 2 pikë, Republika Çeke 1 pikë, Greqia 6 pikë, Austria 3 pikë, Polanda 6 pikë, Moldova 5 pikë, Islanda 5 pikë, 8 pikë Bullgaria, Portugalia 4 pikë, Finlanda 4 pikë, Latvia 5 pikë, Zvicra 5 pikë, Danimarka 10 pikë (në finale 7 pikë), Spanja 2 pikë dhe Britania 1 pikë.
Por në finale këto shtete i dhanë Shqipërisë zero pikë, sepse në finale ishin edhe shtete të tjera, pra që vota u dha politikisht, pasi nëse Shqipërinë e vlerësuan në gjysmë finale, pse dy ditë më vonë i dhanë zero pikë? Vetë artistja e pranoi se votimi në finale është politikë.
Po Shqipëria si votoi?
Në gjysmë finalen e dytë, ku ishin pjesë 17 shtete, juria shqiptare vlerësoi me 12 pikë Zvicrën, të njëjta pikë i dha edhe në finale, ndoshta edhe për faktin se përfaqësuesi është shqiptar. Me 10 ditë juria vlerësoi Greqinë kurse në finale me 6 pikë. Me 8 pikë San Marinon dhe në finale me 5 pikë. Me 7 pikë Austrinë por nuk shkoi në finale. Me 6 pikë Finlandën dhe në finale me 3 pikë. Me 5 pikë Serbinë dhe në finale me 1 pikë. Islandën me 4 pikë dhe në finale me zero pikë. Me 3 pikë Moldovën dhe në finale zero pikë. Bullgarinë me 2 pikë dhe në finale me zero pikë dhe me 1 pikë Portugalinë dhe në finale me zero pikë. Luhatja e pikëve ndodhi pasi në finale ishte Franca ku juria e vlerësoi me 10 pikë dhe shtete të tjera. Pra juria shqiptare pothuajse ka mbajtur pikët e përafërta si në gjysmë finale dhe në finale.
Pikët e jurisë në finale
San Marino 2 pikë
Malta 12 pikë
Danimarka 7 pikë
Holanda 1 pikë
Pikët nga publiku në finale
“Karma” e Anxhela Peristeri mori edhe 35 pikë nga votat e publikut, duke arritur vlerësimin final me 57 pikë që e renditën në vendin e 21-të. Pas performancës në natën finale, Anxhela Peristeri u shpreh “Jam shumë e lumtur. Ndihem e mërzitur që nesër nuk do të jem më duke performuar në këtë skenë të mrekullueshme. Do ta mbaj mend gjithë jetën time“.
Përfaqësuesja e Shqipërisë u vlerësua nga media maksimalisht dhe nga fansat për vokalin dhe dominimin e skenës, por kjo nuk mjaftoi që të merrnim një rezultat të mirë. Grupi italian “Maneskin”, me këngën “Zitti e Buoni”, triumfoi në Eurovision, duke qenë më i votuari në natën finale me 524 pikë. Vota e publikut vendosi në krye Italinë, ndërsa “Rock n’roll nuk vdes kurrë” ishin fjalët e para të grupit italianë pas shpalljes së fituesit.
Pas Italisë u rendit Franca e cila mori vetëm 25 pikë më pak, ndërsa me 432 pikë në total u rendit në vendin e tretë Zvicra, e cila u përfaqësua nga këngëtari me origjinë shqiptare Gjon Muharremaj. Ai arriti të sigurojë votat e jurisë, duke u renditur i parë, nga vota e 39 shteteve me 267 pikë, por ishte vota e publikut ajo që përcaktoi fituesin, duke e zbritur atë në vendin e tretë.