Vullnetarizmi i “EKO Mendje” i kthen frymëmarrjen lumit Buna, flora e saj çlirohet nga 6 ton mbeturina

Nga Albert Vataj
Në një kohë kur lumenjtë tanë përballen me mbingarkesë mbetjesh, neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie kolektive, “EKO Mendje” rikujton se natyra mund të shpëtohet vetëm me duar të bashkuara. Në aktivitetin e fundit, një aksion i përmasave të jashtëzakonshme, vullnetarët ndërmorën pastrimin e bregut të lumit Buna, duke dëshmuar se vullneti njerëzor mund të bëjë ndryshimin.
Gjatë një ecjeje 5.7 kilometërshe përgjatë bregut dhe brenda në ujë, dhjetëra aktivistë të EKO Mendje arritën të largojnë rreth 6 ton mbeturina, një sasi e frikshme që prej kohësh i kishte marrë frymën njërit prej ekosistemeve më të brishtë dhe më të bukur të Shkodrës. Plastika, mbetje të ndotura urbane dhe elementë të tjerë të rrezikshëm kishin dëmtuar florën e zonës dhe kishin cenuar faunën ujore e bregdetare, duke krijuar një plagë të dukshme në trupin natyror të Bunës.
Por sot, falë angazhimit të palodhur dhe përkushtimit të sinqertë të vullnetarëve, natyra mori frymë sërish. Nuk është rastësi që mesazhi kryesor i aktivitetit u bë thirrja emocionuese: “Buna tani merr frymë…”

Ky aksion nuk ishte vetëm një pastrim, ishte një deklaratë. Një dëshmi se shoqëria civile ka forcën të ringjallë shpresën dhe të rikthejë vëmendjen tek përgjegjësia mjedisore. Se vullnetarët janë model për shembull, dhe se ndryshimi fillon aty ku dikush vendos të mos rrijë duarkryq.
“I lumtë çdo aktivisti, jeni shembuj!”
Ky nuk është kompliment, por e vërteta e thjeshtë, njerëzit që dolën në terren i japin zë një filozofie të re qytetarie, atë ku mjedisi nuk trajtohet si pronë e askujt, por si amanet i të gjithëve.
EKO Mendje edhe njëherë tregoi se vullnetarizmi mund të jetë forca më e pastër e transformimit. Me qindra aksione të ngjashme ndër vite, kjo lëvizje vazhdon të jetë urë që lidh njeriun me natyrën, duke edukuar, frymëzuar dhe mobilizuar komunitetin.

Një vlerësim i veçantë shkon edhe për drejtuesin e EKO Mendje, Mirsad Basha, i cili me vizion, qetësi dhe përkushtim e ka shndërruar këtë nismë të thjeshtë vullnetare në një nga faktorët më ndikues të jetës qytetare në Shkodër. Nën drejtimin e tij, EKO Mendje nuk është më vetëm një grup vullnetarësh që ndërmarrin aksione sporadike, por një organizëm i gjallë qytetar, që vepron me koherencë, guxim dhe frymë komunitare.
Falë energjisë së tij organizuese dhe mënyrës së natyrshme me të cilën ai arrin të frymëzojë njerëzit, EKO Mendje ka shtrirë veprimtarinë në një gamë të gjerë fushash, nga mbrojtja e mjedisit dhe edukimi ekologjik, te nisma kulturore, sociale, humanitare dhe promovimi i vullnetarizmit si vlerë qytetare. Ajo që dikur nisi si një grup i vogël idealistësh sot është një lëvizje e mirëfilltë komunitare, dhe kjo është një arritje që mban vulën e drejtimit të Mirsad Bashës.
Ai ka ditur të krijojë besim, të ndezë motivim dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi, duke e bërë EKO Mendje një aktor të rëndësishëm në qytet, që jo vetëm ndërhyn për të zgjidhur probleme, por edhe inspiron ndryshim afatgjatë në mendësinë dhe kulturën qytetare të Shkodrës.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?