
Partizani po kalon një nga momentet më të vështira të sezonit. Ndryshimi i dy trajnerëve brenda nëntë javësh nuk ka sjellë përmirësimin e pritur, ndërsa të kuqtë e mbyllin fazën e parë të kampionatit në fund të tabelës, me vetëm katër pikë të grumbulluara.
Humbja e fundit ndaj Elbasanit, pavarësisht episodeve të kontestuara gjatë ndeshjes, ka rikthyer në vëmendje krizën e thellë që po përjeton skuadra kryeqytetase. Shifrat flasin qartë dhe tregojnë se problemet e Partizanit janë më të mëdha sesa një çështje trajneri.
As ardhja e Mislav Karoglanit nuk ka sjellë kthesën e shumëpritur. Kroati e ka nisur aventurën në stolin e të kuqve me tri humbje në tri ndeshje, duke treguar se ndryshimi i drejtimit teknik nuk mjafton për të nxjerrë ekipin nga kjo situatë.
Në përfundim të fazës së parë, Partizani renditet në vendin e fundit të “Abissnet Superiore”, me bilancin shqetësues prej një fitoreje, një barazimi dhe shtatë humbjesh. Me vetëm katër pikë, të kuqtë po përballen me rrezikun e rënies nga kategoria, nëse ecuria nuk ndryshon në ndeshjet e ardhshme.
Problemet janë të dukshme në të dyja repartet, por veçanërisht në mbrojtje. Partizani ka shënuar 10 gola në nëntë javë, një shifër që e bën sulmin e tij ndër më pak produktivët e kampionatit. Megjithatë, ky nuk duket të jetë shqetësimi kryesor, pasi edhe skuadra të tjera kanë shifra të ngjashme në fazën sulmuese.
Problemi më i madh mbetet reparti defensiv. Partizani ka pësuar plot 21 gola në nëntë ndeshje, duke regjistruar mbrojtjen më të dobët të sezonit deri në këtë fazë.
