5 arsyet përse Partizani fitoi titullin kampion këtë sezon në Superligë

Partizani ditën e diel arriti që të siguronte titullin kampion pas plotë 26 vitesh. Një sukses historik për “Të Kuqtë” që zhvilluan një sezon spektakolar duke qenë gjithmonë në formën e duhur në momentet më kyçe të sezonit. Titulli i 26-të në historinë e klubit kryeqytetas në fakt ishte plotësisht i merituar për atë që është parë këtë sezon, por cilat ishin disa nga sukseset e këtij triumfi. Gazeta jonë ju sjell një përmbledhje të faktorëve të cilët sipas nesh kanë qenë vendimtarë.

Skënder Gega- Është padyshim arkitekti i këtij suksesi historik për ekipin e Partizanit. Eksperienca në moshat e kombëtares dhe në Kuvajt me Al-Jahra i ka shërbyer për ta bërë një trajner shumë të pjekur dhe të aftë që të marrë vendimet e duhura në çdo moment, të mirë apo të keq që i është shfaqur ekipit gjatë rrugëtimit. Strategu tropojan ka një skemë të qartë në kokën e tij 4-2-3-1, e cila ka kaluar në 4-3-3 në disa ndeshje të veçanta. Me një qetësi olimpike, rregulla të qarta, barazi dhe një këndvështrim të qartë ndaj medias, publikut si dhe arbitrave, e kanë shndërruar në trajnerin ekspert që presidenti Gaz Demi kërkonte prej vitesh. I aftë të ruante qetësinë edhe në momente të nxehta, madje edhe kur ekipit të tij i janë bërë padrejtësi. 2.03 pikë për ndeshje në drejtimin e klubit të kuq, nuk është aspak një mesatare e keqe për një trajner.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

Grupi i bashkuar i futbollistëve, asnjë yll- Një trajner nuk mund të fitojë asnjëherë nëse futbollistët nuk i përgjigjen në fushën e lojës. Në fillim të sezonit askush nuk do ta mendonte se me një skuadër me moshë mesatare 25,9 vjeç, të arrinte të triumfonte. Fakti që të gjithë kanë ndihmuar njëri-tjetrin për të dhënë më të mirën në fushë, duke respektuar edhe statusin e Trashit, Kalarit dhe Alban Hoxhës, që kanë vite në këtë klub. Asnjë zënkë, asnjë pakënaqësi edhe kur janë detyruar të luajnë në një pozicion të ndryshëm nga ai që janë mësuar.

Marrëdhëniet e mira me FSHF- Të gjithë mund ta mbajnë mend përplasjet e vazhdueshme mes drejtuesve të Partizanit në sezonet e kaluar me FSHF për gjykime apo për dënime të ndryshme. Këtë sezon me afrimin si drejtor sportiv të Olsi Ramës, strategjia ka ndryshuar. Asnjë polemikë për arbitrat dhe asnjë pakënaqësi. Mesa duket strategjia e re u ka shkuar në mënyrën më të mirë.

Mungesa e rivalitetit – Askush nuk mund ta mohojë që niveli i kampionatit tonë ka rënë. E thonë statistikat, golat e shënuar, niveli i futbollistëve dhe i talenteve që kanë spikatur. Rënia e madhe e Skënderbeut ka ndikuar jo pak, ndërkohë që oscilacionet e Kukësit janë shfrytëzuar më së miri nga Partizani që gaboi shumë më pak në momente kur verilindorët ndryshonin trajnerin apo kishin zënka brenda ekipit të tyre.

Fotografia e FK Partizani Albania

Arbitrim më i drejtë, s’ka pasur ndikime në rezultat – Një nga faktorët që tifozët qëndrojnë larg stadiumeve, kanë qenë rezultatet e paracaktuara nga arbitrimet e gabuara. Gabimet e xhaketave të verdha këtë sezon kanë qenë shumë më të pakta, duke bërë që të mos ketë shumë polemika si në sezonet paraardhëse. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?