5 humbje radhazi, Partizani me Sormanin drejt “greminës”
Një vit me parë Partizani festoi titullin kampion nën drejtimin e Skënder Gegës, ndërkohë që tashmë rrezikon që të luajë në “Play Out” për të qëndruar në Superiore. Brenda disa muajsh skuadra e kuqe, ka ndryshuar jo vetëm trajnerë, por edhe shumë futbollistë.
Nga Franco Lerda te Sormani, asnjëri prej italianëve nuk ka mundur që të vërë në zbatim idetë e tij për lojën. Janë plotë 5 humbje radhazi për Partizanin në ndeshjet e fundit, duke zbritur tashmë në vendin e 8-të, duke rrezikuar qëndrimin deri në ndeshjen e fundit.
Gjithçka nisi me humbjen e turpshme 5-1 kundër Tiranës më 28 shkurt, ndërkohë që një javë më pas u mundën minimalisht nga Teuta. Para pandemisë edhe Vllaznia arriti që të fitonte, ndërkohë që me rifillimin e sezonit, do të ishin Skënderbeu dhe Kukësi që do të fitonin sfidat ndaj të kuqve.
Me Sormanin në krye të ekipit, Partizani luan mirë, madje krijon edhe mundësi shënimi, por vuan shumë në aspektin e finalizimit. Trajneri italian mësohet se është shprehur i gatshëm për të dhënë dorëheqjen, por ekipi kryeqytetas kërkon t’i besojë të paktën deri në fund të sezonit. Sfida e radhës ndaj Luftëtarit do të jetë vendimtare për fatin e strategut italian. /R.Lika-Koha Jone/