59 gola në 59 ndeshje, Haaland është makineri golash në Champions League
Erling Haaland vazhdon të shkruajë historinë e Champions League. Sulmuesi norvegjez ishte protagonist absolut në fitoren e Manchester Cityt në transfertën ndaj Portos, ku realizoi një dopietë dhe vendosi një tjetër rekord mbresëlënës në kompeticionin më prestigjioz europian për klube.
Me dy golat e shënuar në Portugali, Haaland ka arritur në kuotën e 59 golave në vetëm 59 paraqitje në Champions League. Një mesatare e jashtëzakonshme, me nga një gol për ndeshje, që e vendos norvegjezin në një kategori më vete sa i përket efikasitetit para portës.
Sulmuesi i Manchester Cityt është bërë gjithashtu lojtari më i shpejtë në historinë e Champions League për të arritur kuotat e 30, 40 dhe 50 golave. Dopieta ndaj Portos kishte një rëndësi të veçantë edhe për Manchester Cityn. Me 36 gola në Champions League me fanellën e Citizens, Haaland ka barazuar Sergio Agueron si golashënuesi më i mirë i klubit në historinë e këtij kompeticioni.
Një tjetër rekord që tregon ndikimin e jashtëzakonshëm të sulmuesit norvegjez në historinë e kohëve të fundit të klubit anglez. Në renditjen e përgjithshme të golashënuesve të Manchester Cityt, Haaland tashmë renditet në vendin e tretë, pas Eric Brook dhe Sergio Agueros. Norvegjezi ka shënuar 167 gola në vetëm 203 ndeshje me fanellën e klubit.
KOHA JONË SONDAZH

