90 minutat e fundit të Kategorisë Superiore, Partizani apo Tirana do të marrë titullin?
Kategoria Superiore do të luajë sot javën e fundit, që do të japë dhe verdiktet e fundit të një sezoni të gjatë të mbushur me zhvillime.
Partizani do të presë në shtëpi Teutën në “Arenën e demave” për ndeshjen e fundit të këtij sezoni. Të kuqtë janë vetëm një fitore larg shpalljes kampion të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Teuta kërkon të marrë një fitore që do ta çonte në Kupat e Europës.
Sfidë tjetër e rëndësishme është dhe Erzeni-Tirana. Bardheblutë kërkojnë me patjetër një fitore dhe një hap fals nga Partizani për t’u shpallur kampion i Shqipërisë. Ndërsa Erzeni synon tre pikët për të dalë nga vendi i tetë i Superiores. Bardheblutë kujtojmë që do të kenë disa futbollistë të pezulluar.
Në duelin tjetër Bylis-Vllaznia, në lojë janë Europa dhe mbijetesa. Ekipi shkodran kërkon të marrë një fitore në transfertë për t’u afruar më shumë me Europën, ndërsa vendasit synojnë vetëm tre pikët për të mbijetuar.
Kukesi kërkon të mposhtë Egnatian në transfertë për t’u siguruar edhe njëherë pjesë e “Abissnet Superiore” edhe për një sezon. Skuadra rrogozhinase e ka arritur synimin e saj këtë sezon duke prerë një biletë në kualifikueset europiane.
Europa do të kërkohet dhe në sfidën tjetër Laçi-Kastrioti. Kurbinasit do të duhet të mposhtin krutanët e rënë nga kategoria për të shpresuar një vend në kualifikueset e Europës.