A ndalet Skënderbeu në Laç për llogari të Partizanit? Lilaj: Askush nuk na pengon!
Në garë për titull, Kukësi, Partizani dhe Tirana, janë në pritje të një hapi fals nga ana e kryesuesve të Skënderbeut. Kjo për faktin se këtë javë vetëm Skënderbeu do të ketë një ndeshje më të vështirë. Partizani pret Apoloninë, pa shumë pretendime në Tiranë, ndërsa Kukësi udhëton në Elbasan ku përballet me vendasit pa shpresa mbijetese. Edhe Tirana luan ndaj Flamurtarit në Vlorë, që nuk ka asnjë objektiv për të arritur, por ka një skuadër më cilësore se dy të fundit në klasifikim, që do të thotë se nëse impenjohet maksimalisht mund t’iu prishë planet bardhebluve. Gjithsesi, Skënderbeu udhëton në Laç, ku i duhet të konfirmohet si kryesues këtë javë, për titullin e pestë radhazi kampion. Mesfushori i Skënderbeut, Sabien Lilaj është i vetëdijshëm për momentin që po kalon ekipi i tij dhe thotë se pauza ka ndihmuar rivalët. Ai premton më të mirën për sfidën e së shtunës, ndonëse Laçi kërkon një vend në Kupat e Europës. Të besuarit e trajnerit Armando Cungu madje akuzohet se është në aleancë me të kuqtë e Partizanit për të ndalur rivalët e tjerë, siç edhe ka mundur deri tani Kukësin e Tiranën, në fushën e vet, çka e bën më të vështirë fitoren nga ana e Skënderbeut.
Laçi
Pas entuziazmit të krijuar nga ndeshja dhe rezultati i kombëtares Shqiptare ndaj Armenisë, këtë fundjavë rikthehet kampionati. Kampionët dhe kryesuesit e këtij sezoni, Skënderbeu udhëtojnë në fushën e vështirë të Laçit. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa vjen pas një periudhe të mirë, teksa ndalesa e kampionatit nuk konsiderohet si diçka pozitive nga korçarët, në këtë aspekt. Mesfushori Sabien Lilaj është i vetëdijshëm për momentin që po kalonte ekipi i tij, ndaj edhe premton më të mirën për sfidën e së shtunës. –“Vijmë pas rezultateve pozitive dhe sigurisht që ndalesa e kampionatit nuk bën mirë. Megjithatë ekipi është në formë dhe të shtunën shkojmë në Laç për të fituar. Laçi ka treguar që është ekip i nivelit të lartë dhe këtë e tregoi edhe në fazën e tretë. Megjithatë jemi të vetmit që kemi fituar aty dhe shpresojmë të vijojmë edhe këtë javë.”
Titulli kampion
Fusha e kurbinasve është konsideruar gjithnjë e vështirë, ashtu si dhe ekipi i Laçit një kundërshtar i rrezikshëm për t’u mundur. Por për të shkuar tek titulli duhet të kalohen këto vështirësi. –“Të dalësh kampion duhet të fitosh ndeshje të vështira dhe Laçi është një kundërshtar i tillë.” Në Korçë titulli i 5 radhazi duket shumë pranë dhe Sabien Lilaj lëshon një mesazh për rivalët duke mos iu trembur askujt. – “Nuk na pengon asnjë për të marrë titullin. Por ne duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një, në këtë mënyrë arrijmë tek suksesi.” Skënderbeu shkon në transfertën e Laçit, pas 5 fitoreve radhazi në kampionat, ku falë kësaj ecurie arriti të marrë dhe kreun e klasifikimit.
Kategoria Superiore
Java e 29-të – 4 prill
Elbasani – Kukësi 13:00
Partizani – Apolonia 17:00
Vllaznia – Teuta 13:00
Laçi – Skënderbeu 14:00
Flamurtari –Tirana 17:00
Klasifikimi
Skënderbeu 60
Kukësi 58
Partizani 56
Tirana 54
Laçi 50
Flamurtari 34
Vllaznia 30
Teuta 23
Apolonia 16
Elbasani 13
KOHA JONË SONDAZH

