Abazaj e Rroca sërish bashkë, këtë herë tek klubi turk
S’ka më dilema për të ardhmen e Kristal Abazajt, pasi do të transferohet tek klubi turk i Istambulsporit, i njëjti ku pak ditë më parë u transferua edhe fantazisti nga Lushnja, Eduart Rroca. Abazaj ka arritur marrëveshjen dhe madje ka firmosur kontratën me klubin turk që militon në kategorinë e parë të futbollit vendas, ndërsa tani pritet vetëm prezantimi zyrtar.
Pak ditë më parë ai ishte shumë pranë firmës me Ankaraspor, me të cilën arriti marrëveshjen dhe madje kreu edhe testet mjekësore, por klubi turk nuk arriti të marrë dritën jeshile për hapjen e merkatos nga FIFA (aktualisht e ka merkaton e bllokuar) dhe gjithçka dështoi.
Pas shpërthimit te Luftëtari dhe një sezoni të kaluar sërish së bashku tek skuadra e Kukësit, Kristal Abazaj dhe Eduart Rroca do të jenë sërish bashkë, këtë herë te Istambulspor të cilën do të provojnë ta kthejnë në elitën e futbollit turk.
Rroca u prezantua vetëm në fund të javës së kaluar në klubin turk dhe nënshkroi një kontratë 4-vjeçare, ndërsa Kristal Abazaj ka nënshkruar për dy sezone me Istambulspor.