Abilaliaj: Ndaj Teutës do jetë e vështirë, jemi në tratativa për trajnerin e ri

Partizani kërkon fitoren e radhës në kampionat, teksa do të luajë në transfertën ndaj Teutës në javën e 10-të. Arbër Abilaliaj, i cili do të jetë sërish në stol u shpreh se skuadra ka bërë mirë dhe se vjen më e qetë në këtë takim.

“Gjendja është mjaft e mirë për të gjithë lojtarët që kemi në dispozicion. Duke pasur parasysh që kemi pasur disa ditë më shumë për të përgatitur ndeshjen, për të rikuperuar forcat dhe të them të drejtën, si në aspektin psikologjik dhe në atë fizik, ekipi është gëzon shëndet të plotë. Patjetër është e kotë të flasim sa i përket mungesave, sepse na kanë shoqëruar gjatë gjithë kësaj periudhe. Dihet situata. Nuk kemi asnjë që është rikuperuar gjatë këtyre ditëve të fundit. Kështu që vazhdojmë që të jetë e njëjta situatë. Por pjesa tjetër e grupit është e shëndetshme.

Kundërshtari? Një kundërshtar shumë i vështirë, shumë i rrezikshëm. Ka entuziastë për faktin që bëri një fitore të rëndësishme në Elbasan kundër Dinamos. Mënyrën se si e arriti. U duk që ishte një ekip i uritur. Patjetër që edhe këtu, kur të vijnë në shtëpinë tonë nuk është se besoj se do të kënaqet vetëm me barazim. Mendoj se është një ekip shumë i vështirë dhe duhet të kemi shumë kujdes, sepse është një ndeshje që na jep mundësinë të krijojmë vazhdimësi edhe për punën, por edhe për rezultatet. Duhen përmirësuar edhe ato dy-tre probleme që krijohen gjatë fushës së lojës.

Ne mundohemi për momentin që të krijojmë profilin e lojës që duam. Të kemi një pikë të qartë se si duam t’i zhvillojmë të gjitha ndeshjet që përballemi me kundërshtarët e ndryshëm. Kundërshtari me kundërshtarin ndryshon, por mentaliteti, qasja dhe mënyra se si duam të shprehim futboll të jetë pak a shumë e njëjtë. Pastaj specifikat në krahasim me kundërshtarët që kemi përballë patjetër që ndryshojnë.

Mendoj që krahasim me ndeshjen me Erzenin, duhet pasur parasysh që janë dy sfida komplet të kundërta. Ajo me Erzenin ishte një ndeshje në të cilën vinim nga një ndeshje që kishte mjaft konsum në mesjavë. Gjëja më e rëndësishme ishte ta fitonim atë ndeshje dhe ja arritëm. Edhe në atë treguam forcë karakteri që është një gjë shumë e rëndësishme. Pastaj ndeshja me Teutën është totalisht një ndeshje tjetër. Është një ndeshje e cila, me grupin që vjen më i relaksuar. Mendoj që ne vijmë komplet në një format tjetër. Mbi të gjitha më të shplodhur dhe më të etur për rezultat.

Të them të drejtën jemi munduar që t’i japim hapësirë ose të kemi në fushë të gjithë lojtarët tanë më kualitativ. Patjetër duke pasur parasysh edhe lojtarët që nuk gëzojnë shëndet të plotë. Në varësi dhe të formës që kalojnë futbollistë të caktuar mundohemi që të kemi kualitet shumë të madh në fushë. Patjetër që një ndihmë e kanë dhënë të gjithë lojtarët që janë futur në fushë. Në fund fare kemi luftuar për të arritur rezultatin. Këtë e kanë arritur me shumë dëshirë futbollistët që kanë hyrë dhe kanë pasur dëshirën për të bërë diferencën. Mbaroi faza e parë, dëmtimet kanë qenë të shumta, por Partizani ka një ndihmesë të jashtëzakonshme.

Moduli mund të jetë i njëjtë, këtë ta dëfton edhe kualiteti i lojtarëve që ne kemi në përbërje. Sa më shumë kualitet të kemi në fushën e lojës, aq më mirë është për fushën e lojës. Jemi munduar që t’i qëndrojmë qasjes që kemi pasur gjatë sezonit. Por qasja ndryshon nga ndeshja në ndeshja. Ka të bëjë dhe stafi që ruajmë një marrëdhënie shumë të mirë.

Trajneri i ri? Ne jemi në negociata për të diskutuar me profilet që kemi përzgjedhur. Nuk është e lehtë duke pasur parasysh në momentin që ndodhemi. Gjithsesi këtë qetësi na e jep dhe fakti që ekipi përgjigjet mjaft mirë. Opsionet tona i kemi diskutuar, jemi në tratativa për të mbyllur dhe marrëveshjet. Por gjithsesi kjo është një gjë që është dinamike. Unë do të doja të ishte e fundit, por ja që nuk është e fundit. Duke pasur parasysh e rëndësishme është përgjigja që japin futbollistët në fushën e lojës. Partizani do të ketë një trajner që ta ndihmojë ekipin që të bëjë procesin që kemi vendosur që nga vera e kaluar”, u shpreh Abilaliaj

SHKARKO APP