Abissnet Superiore/ Ankth deri në sekondat e fundit për mbijetesë, pas pak luhen 5 duelet e fundit
Abissnet Superiore mbyll pas pak sezonin e rregullt me një pasdite që premton emocione dhe tension deri në sekondat e fundit. Të gjitha sfidat e javës së 36-të do të luhen në orën 16:00, ndërsa beteja për mbijetesë mbetet plotësisht e hapur për katër skuadra.
Me Flamurtarin tashmë të rrëzuar nga elita, Tirana, Bylisi, Vora dhe Teuta do të luajnë gjithçka për të siguruar qëndrimin në Superiore. Tirana dhe Bylisi mbajnë aktualisht nga 41 pikë, ndërsa Vora dhe Teuta ndodhen menjëherë pas tyre me nga 39.
Rregullorja e kampionatit shton edhe më shumë dramatikën në këtë fundsezoni. Në rast barazimi pikësh, renditja nuk vendoset nga golavarazhi i përgjithshëm, por nga përballjet direkte mes skuadrave, duke e bërë çdo gol vendimtar.
Vëmendja kryesore do të jetë te përballja direkte mes Vorës dhe Bylisit, një duel që mund të përcaktojë fatin e të dy ekipeve. Ballshiotët kanë fituar dy nga tre sfidat sezonale ndaj vorakëve, ndërsa të dyja skuadrat vijnë në këtë takim pas një serie pozitive rezultatesh. Barazimi, megjithatë, shihet si një rezultat që komplikon llogaritë për të dy kampet.
Në Elbasan, Tirana do të kërkojë pikët e shpëtimit përballë AF Elbasanit. Bardheblutë janë rikthyer te rezultatet pozitive në javët e fundit dhe synojnë të përfitojnë nga momenti jo më i mirë i vendasve, që megjithëse renditen mes skuadrave më të forta të sezonit, kanë shfaqur luhatje në ndeshjet e fundit.
Një tjetër duel me peshë mbijetese do të luhet në Durrës, aty ku Teuta pret Egnatian. Durrsakët kalojnë një moment të vështirë, pa fitore në pesë javët e fundit, ndërsa përballë do të kenë një Egnatia që e ka siguruar tashmë pjesëmarrjen në “Final 4”.
Sipas formulës së kampionatit, skuadra që renditet në vendin e nëntë do të zbresë direkt në Kategorinë e Parë, ndërsa vendi i tetë do të detyrohet të luajë “play-out”-in për mbijetesë.

KOHA JONË SONDAZH

