Aco Stojkov, vjen “asi” maqedonas për sulmin korçar
Skënderbeu godet sërish në merkaton e dimrit, me qëllim për të fituar titullin e pestë radhazi kampion, teksa afron maqedonasin Aco Stojkov. Sulmuesi pas marrëveshjes do të nisë menjëherë stërvitjen me kampionët e Shqipërisë në fazën përgatitore që po zhvillohet në Spanjë. 31-vjecari, i cili gjatë pjesës së parë të sezonit është aktivizuar me Rabotnickin në Ligën e Parë të Maqedonisë, ku ka shënuar 9 gola në 11 ndeshje konsiderohet një blerje mjaft cilësore në kampin korçar. Drejtuesit e Skënderbeut duke parë problematikën e shfaqur në dy fazat e para të Kategorisë Superiore, pas largimit të sulmuesit Andi Ribaj, nuk u menduan gjatë për t'ia plotësuar kërkesat ekonomike futbollistit maqedonas, i cili ka një karrierë të pasur edhe në kombëtaren e Maqedonisë, me 43 ndeshje, dhe 5 gola të realizuar që nga debutimi, në vitin 2002. Gjatë karrierës së tij kartonin e Stojkov nga viti 2001 deri më 2005 e zotëronte Interi, edhe pse nuk zhvilloi asnjë ndeshje me fanellën zikaltër, pasi u dha në klube të ndryshme në formë huazimi.
KOHA JONË SONDAZH

