Adrian Bardhi: Faleminderit Dinamo, kjo skuadër meriton respekt dhe mirënjohje!
Pas përfundimit të aventurës europiane, Dinamo City ka kthyer tashmë vëmendjen te kampionati. Presidenti i klubit, Adrian Bardhi, ka falënderuar skuadrën dhe stafin teknik për paraqitjet e tyre gjatë këtij rrugëtimi, duke vlerësuar përkushtimin dhe shpirtin e garës të treguar në fushën e lojës.
Në një mesazh drejtuar ekipit, Bardhi theksoi se, pavarësisht eliminimit, aventura europiane është një arsye për krenari. Sipas tij, Dinamo zhvilloi një rrugëtim që duhet t’i shërbejë skuadrës për të fituar më shumë besim dhe forcë në vazhdim.
“Rrugëtimi ynë europian përfundoi, por ajo që kjo skuadër tregoi në fushën e lojës meriton vetëm respekt dhe mirënjohje”, shprehet Bardhi.
Presidenti i Dinamos falënderoi veçanërisht futbollistët për paraqitjet dhe përkushtimin në çdo ndeshje, ndërsa vlerësim të veçantë pati edhe për stafin teknik, për profesionalizmin dhe punën e bërë gjatë gjithë aventurës europiane.
Dinamo arriti të kalojë tre ture në kompeticionet europiane dhe iu afrua një tjetër arritjeje të rëndësishme, përpara se rrugëtimi të merrte fund.
Tashmë, sipas Bardhit, fokusi i klubit zhvendoset tërësisht te kampionati. Objektivi është i qartë: rikthimi i Dinamos te titulli kampion.
“Ky rrugëtim duhet të na bëjë më të fortë dhe më të bindur për atë që mund të arrijmë së bashku. Tani mbyllim kapitullin europian dhe gjithë energjinë tonë e drejtojmë te kampionati. Dinamo ka një objektiv të madh përpara: të luftojë për t’u rikthyer aty ku i takon, te titulli kampion”, deklaroi presidenti Bardhi.
Mesazhin e tij, kreu i klubit e mbylli me një thirrje për vazhdimësinë e projektit: “Vazhdojmë së bashku. Me besim, punë dhe ambicie. Forca Dinamo!”
KOHA JONË SONDAZH

