Afrika e Jugut shkruan historinë, Meksika e mbyll me pikë të plota
Afrika e Jugut ka siguruar një kualifikim historik në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës, pasi mposhti Korenë e Jugut me rezultatin minimal 1-0. Skuadra e drejtuar nga Hugo Broos avancoi në 1/16-at e finales, ku do të përballet me Kanadanë në Los Anxhelos.
Pas një fillimi të kujdesshëm, momenti që vendosi sfidën erdhi në mesin e pjesës së dytë. Maseko realizoi golin e vetëm të takimit me një goditje të bukur me të majtën, duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi portierit Kim.
Në krahun tjetër, Koreja e Jugut zhgënjeu pritshmëritë. Edhe pse kapiteni Son Hyung-min u aktivizua pas pushimit, ai dhe shokët e tij nuk arritën të krijonin rrezik real përpara portës kundërshtare, duke u mjaftuar me disa raste sporadike.
Për koreanët një barazim do të mjaftonte për të siguruar vendin e dytë në grup, falë fitores së arritur në ndeshjen e parë ndaj Republikës Çeke. Megjithatë, humbja i lë ata në vendin e tretë me 3 pikë dhe me rrezik serioz për eliminim nga turneu. Ndërkohë, Republika Çeke i dha fund një fushate zhgënjyese, duke u eliminuar me vetëm një pikë të grumbulluar në grup.
Në stadiumin legjendar Estadio Azteca, Meksika festoi vendin e parë në grup përpara tifozëve të saj, duke mposhtur Çekinë me rezultatin e pastër 3-0 dhe duke e mbyllur fazën e grupeve me maksimumin e pikëve.
Pavarësisht një pjese të parë të ekuilibruar, çekët u dorëzuan plotësisht në fraksionin e dytë të lojës. Për vendasit shënuan Chavez, Quinones dhe Fidalgo, duke vulosur një tjetër paraqitje bindëse të skuadrës meksikane.
KOHA JONË SONDAZH

