Ajeti prezantohet te Frosinone: De Biazi më këshilloi Seria A, do t’ia shpërblej
Nis zyrtarisht aventura e Arlind Ajetit te Frosinone. Mesditën e sotme mbrojtësi i kombëtares shqiptare u prezantua si futbollisti më i ri i skuadrës së drejtuar nga trajneri Roberto Stellone. 22-vjeçari i cili firmosi një kontratë 7 mujore me Frosinonen, marrëveshje kjo që mund të rinovohet automatikisht edhe për 2 sezone të tjera nëse ekipi siguron qëndrimin në Serinë A, në këtë aventurë të re do të mbajë veshur fanellën me numër 93, që është njëkohësisht edhe viti i tij i lindjes. Në prani të Ajetit gjatë prezantimit të tij në sallën e konferencave të stadiumit Matusa ndodhej edhe drejtori sportiv i Frosinones Marco Gianniti. Ky i fundit foli me superlativa për mbrojtësin shqiptar, ndërsa më pas fjalën e mori vetë Arlind Ajeti. Ish lojtari i Baselit u shpreh se është shumë i lumtur që tashmë do të luajë në një prej kampionateve më të forta në Europë.
“I njoh pak a shumë skuadra e Serisë A, dhe mund të them që është një kampionat shumë i vështirë. Mendoj se jam gati fizikisht pasi kam luajtur ndeshjen time të fundit vetëm një javë më parë. Edhe pse kam qenë një lojtar i lirë jam stërvitur mirë gjatë kësaj periudhe dhe jam plotësisht i gatshëm për këtë sfidë të re. Mendoj se mund të luaj që në ndeshjen e kësaj të diele, por është trajneri ai që vendos, ajo që unë mund të bëj është të jap gjithmonë maksimumin”.
Në vijim Arlind Ajeti shpjegoi arsyet e largimit nga Baseli si dhe bëri ditur se përse zgjodhi Frosinonen.
“Te Baseli nuk ndihesha mirë pasi nuk kisha besimin e trajnerit të ekipit që në atë kohë ishte Paulo Souza. E ndieja se kishte ardhur koha për tu larguar nga Baseli dhe për të provuar një eksperiencë të re. Përse zgjodha Frosinonen? Mendoj se është një klub i mirë dhe jam i kënaqur me vendimin që mora. Frosinone më dha mundësinë për të luajtur në Serinë dhe nuk mund ti thosha jo”.
Nuk mund të mungonte një koment i Arlind Ajetit edhe për trajnerin e kombëtares kuqezi Gianni De Biasi, i cili e ka grumbulluar gjithmonë mbrojtësin edhe pse 22-vjeçari gjatë muajve të fundit ishte pa skuadër.
“Gianni De Biasi është një trajner i madh. Ai më këshilloi që të vija të luaja në Itali. Në dhomat e zhveshjes të kombëtares shqiptare flitet shumë italisht dhe besoj se do ta mësoj gjuhën edhe prej trajnerit. De Biasi beson shumë tek unë dhe do të mundohem t’ia shpërblej duke pësuar sa më pak gola me Frosinonen dhe ekipin përfaqësues”.
KOHA JONË SONDAZH

