Alaba karikon Austrinë para përballjes me Spanjën: Do të zbresim në fushë për të fituar
Kapiteni i Austrisë, David Alaba, ka shprehur krenarinë dhe emocionet e tij për pjesëmarrjen në Kupën e Botës, ndërsa ka dërguar edhe një mesazh të fortë besimi para sfidës së rëndësishme ndaj Spanjës në fazën e 1/16-ve.
Në një intervistë për gazetën sportive spanjolle Marca, Alaba theksoi se kualifikimi dhe pjesëmarrja në Botëror përfaqësojnë një arritje të jashtëzakonshme për kombëtaren austriake.
“Qenia këtu do të thotë gjithçka për ne. Kemi punuar jashtëzakonisht shumë për të arritur në këtë Kupë Bote. Për shumë prej nesh ishte një ëndërr të luanim të paktën një herë në një kompeticion të tillë. Të udhëheq vendin tim si kapiten është një ndjesi e pabesueshme”, deklaroi Alaba.
Duke folur për përballjen e ardhshme me Spanjën, mbrojtësi austriak pranoi forcën e kundërshtarit, por theksoi se skuadra e tij do të hyjë në fushë me synimin për të siguruar kualifikimin.
“E dimë sa e vështirë do të jetë. Spanja është një nga ekipet më të mira në botë dhe një nga favoritët kryesorë për të fituar titullin. Por në Kupën e Botës vjen pikërisht për të luajtur ndeshje të tilla. Jemi të motivuar 100 për qind dhe do të zbresim në fushë për të fituar. Do të jetë një sfidë shumë e fortë, por në futboll gjithçka është e mundur”, u shpreh ai.
Austria do të përballet me Spanjwn në një nga ndeshjet më interesante të fazës me eliminim direkt, ku skuadra e drejtuar nga Alaba synon të shkaktojë surprizën ndaj një prej pretendentëve kryesorë për trofeun e Kupës së Botës 2026.
KOHA JONË SONDAZH

