Alan Sherri paraqitje spektakolare ndaj Izraelit, a e meriton t’ia marrë vendin Strakoshës?
Edhe pse Shqipëria u mposht minimalisht 0-1 nga Izraeli në miqësoren e zhvilluar në Air Albania Stadium, një nga notat më pozitive të mbrëmjes ishte pa diskutim paraqitja e portierit Alen Sherri.
Gardiani i portës kuqezi u aktivizua për herë të dytë me Kombëtaren dhe zhvilloi një ndeshje të nivelit të lartë, duke qenë lojtari më i spikatur. Sherri realizoi të paktën tre pritje spektakolare, duke i mohuar Izraelit gola të sigurt dhe duke mbajtur ekipin në lojë deri në minutat e fundit.
Në një mbrëmje ku mbrojtja shqiptare la jo pak hapësira për kundërshtarin, portieri i Cagliari transmetoi siguri dhe qetësi në çdo ndërhyrje. Performanca e tij u vlerësua pozitivisht nga tifozët dhe specialistët, duke hapur një debat të ri për portën e Kombëtares.
Me këtë paraqitje, Sherri ka dërguar një mesazh të fortë për konkurrencën në repartin e portierëve dhe veçanërisht për Thomas Strakosha, i cili prej vitesh ka mbajtur rolin e titullarit. Forma e treguar ndaj Izraelit dëshmon se 27-vjeçari është gati të luftojë seriozisht për një vend në formacionin e parë të kuqezinjve.
Pas ndeshjes, Sherri nuk e fshehu kënaqësinë për paraqitjen personale, por u shpreh i zhgënjyer për rezultatin final.
“Kur luan me Kombëtaren është një ndjesi që të ecin këmbët vetë, hidhesh vetë, është një ndjesi krejt tjetër. Më vjen mirë për paraqitjen, por shumë keq për rezultatin. Duke parë edhe lojën, shpresoja shumë që minimumi të merrnim një barazim nga kjo ndeshje. Krijuam shumë raste dhe kishim mundësi për ta fituar, por u ndëshkuam nga një kundërsulm”, deklaroi portieri kuqezi.
Pavarësisht humbjes, paraqitja e Sherrit mbetet nota e vetme pozitive në debutimin e trajnerit Maran në krye të kuqezinjve.
KOHA JONË SONDAZH

