Alarm para finales së Kupës së Botës, New York mbulohet nga tymi i zjarreve

Vetëm pak ditë para finales së Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, shqetësimi nuk lidhet vetëm me ndeshjen, por edhe me cilësinë e ajrit në zonën e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit.

Retë e dendura të tymit, të shkaktuara nga mbi 800 zjarre aktive në Kanada, kanë mbuluar një pjesë të madhe të verilindjes së Shteteve të Bashkuara. Në Nju Jork janë rikthyer edhe maskat mbrojtëse, ndërsa qielli është mbuluar nga një mjegull e dendur që ka ulur ndjeshëm cilësinë e ajrit.

Finalja e Botërorit është planifikuar të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin “MetLife” në Nju Xhersi dhe, për momentin, nuk ka asnjë vendim për shtyrjen e saj. Megjithatë, FIFA, autoritetet shëndetësore dhe shërbimet meteorologjike po monitorojnë nga afër situatën.

Swiss Digital Desktop Reklama

Shqetësimi kryesor lidhet me AQI (Air Quality Index), indeksin që mat nivelin e ndotjes së ajrit. Ditët e fundit, disa stacione matëse në Nju Xhersi kanë regjistruar vlera që variojnë nga “të dëmshme për grupet e ndjeshme” deri në nivele që konsiderohen “të rrezikshme” në zona të caktuara.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rekomandimet shëndetësore, duke paralajmëruar se ndotja e lartë mund të ndikojë jo vetëm te personat me probleme të frymëmarrjes apo zemrës, por edhe te njerëzit e shëndetshëm.

Nga ana tjetër, FIFA nuk ka publikuar një prag zyrtar të indeksit AQI që do të detyronte shtyrjen e një ndeshjeje. Vendimet do të merren në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe ekspertët e shëndetit publik, bazuar në të dhënat në kohë reale.

Megjithatë, parashikimet meteorologjike janë optimiste. Sipas meteorologëve, gjatë së shtunës dhe në orët e para të së dielës priten reshje shiu dhe ardhja e një fronti të ftohtë, i cili pritet të shpërndajë tymin e grumbulluar mbi Nju Jork dhe Nju Xhersi.

Për këtë arsye, aktualisht FIFA dhe autoritetet vendore nuk po shqyrtojnë mundësinë e shtyrjes së finales, e cila mbetet e planifikuar të zhvillohet sipas kalendarit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?