Alarm për mot ekstrem në Botërorin 2026, Anglia përgatitet për tornado, stuhi dhe përmbytje
Përveç sfidave sportive, ekipet pjesëmarrëse në Kupën e Botës 2026 mund të përballen edhe me kushte të jashtëzakonshme atmosferike. Ekspertët paralajmërojnë se turneu mund të zhvillohet nën ndikimin e një fenomeni klimatik shumë të fuqishëm të njohur si “Godzilla El Niño”, i cili pritet të sjellë temperatura ekstreme, lagështi të lartë, stuhi të forta, tornado dhe përmbytje në pjesë të ndryshme të Amerikës së Veriut.
Kombëtarja e Anglisë, e udhëhequr nga kapiteni Harry Kane, do të vendoset në Kansas City, një zonë e njohur si pjesë e “Tornado Alley” (Korridori i Tornadove), ku stuhitë dhe tornadot janë dukuri të zakonshme. Vetëm pak ditë para mbërritjes së ekipit, autoritetet kishin lëshuar paralajmërime për tornado në rajon, të cilat më pas u ulën në nivel alarmi për stuhi të forta me erëra rrotulluese.
Shkencëtarët po shprehin shqetësim për ndikimin që mund të ketë fenomeni El Niño gjatë viteve 2026-2027. Sipas tyre, temperaturat rekord të ujërave oqeanike kanë forcuar ndjeshëm sistemin klimatik, duke rritur rrezikun e përmbytjeve, thatësirave dhe zjarreve në shkallë globale.
Edhe kombëtarja angleze ka provuar tashmë efektet e motit të paqëndrueshëm. Ndeshja e fundit miqësore ndaj Kosta Rikës në Orlando të Floridës u shty për rreth një orë, pasi një stuhi tropikale përmbyti fushën dhe u shoqërua me vetëtima e bubullima intensive.
Për këtë arsye, lojtarët e trajnerit Thomas Tuchel do të marrin udhëzime të posaçme mbi procedurat e sigurisë në rast të një tornadoje. Skuadra do të akomodohet në një hotel në Prairie Village, pranë Kansas City, ku janë parashikuar trajnime dhe informime për situatat emergjente.

KOHA JONË SONDAZH

