Alarm te Brazili, mesfushori në dyshim për sfidën e 1/16-ve ndaj Norvegjisë
Kombëtarja e Brazilit ka marrë një lajm jo të mirë në prag të fazës me eliminim direkt të Kupës së Botës 2026. Mesfushori Lucas Paquetá ka pësuar një dëmtim muskulor në kofshën e majtë dhe mbetet në dyshim për ndeshjen e 1/16-ve kundër Norvegjisë.
Lajmi është konfirmuar nga Confederação Brasileira de Futebol (CBF), e cila bëri të ditur se futbollisti iu nënshtrua një rezonance magnetike (MRI), ku u konfirmua dëmtimi. Megjithatë, federata nuk ka dhënë ende një afat të saktë për rikthimin e tij në fushë.
Paqueta ishte titullar në mesfushën braziliane në ndeshjen ndaj Japonisë, ku luajti përkrah Casemiro dhe Bruno Guimaraes. Megjithatë, ai nuk u rikthye në fushë pas pushimit mes pjesëve, duke u zëvendësuar nga talenti i ri Endrick.
Mungesa e mundshme e mesfushorit përballë Norvegjisë do të ishte një goditje e rëndësishme për trajnerin e Brazilit, duke pasur parasysh rolin e tij në organizimin e lojës dhe ekuilibrin e repartit të mesfushës.
Ndërkohë, Brazili ka vijuar përgatitjet në Morristown, ku vetëm futbollistët që nuk luajtën në ndeshjen kundër Japonisë morën pjesë në seancën stërvitore në fushë. Vëmendje të veçantë tërhoqi prania e Neymar, i cili ishte figura më e spikatur gjatë stërvitjes.
Lojtarët që u aktivizuan në sfidën e fundit, mes tyre Endrick dhe Gabriel Martinelli, autor i golit në minutat e fundit të takimit, zhvilluan programe rikuperimi brenda qendrës stërvitore për të menaxhuar lodhjen fizike pas përballjes me Japoninë.
Brazili do të përballet me Norvegjinë të dielën në New Jersey, në një ndeshje ku “Seleção” synon të sigurojë një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës.
KOHA JONË SONDAZH

