Alban Aga në “Koha e Botërorit”: Brazili do të vuajë, Ancelotti është ekspert i ndeshjeve me eliminim direkt
Gazetari sportiv Alban Aga, i ftuar në emisionin “Koha e Botërorit” me gazetarin Rozalb Lika, analizoi forcën e kombëtares së Brazilit dhe ndikimin që mund të ketë trajneri Carlo Ancelotti në sfidat vendimtare të turneut.
Sipas Agës, Brazili disponon cilësi të jashtëzakonshme individuale në repartin ofensiv, me lojtarë si Vinícius Júnior, Lucas Paquetá dhe Matheus Cunha, të cilët mund të bëjnë diferencën në momentet vendimtare.
“Brazili do të duhet të vuajë dhe të sakrifikojë, por me cilësitë individuale që ka në dispozicion, besoj se Vinicius, Paqueta dhe Cunha do të jenë elementët që mund të bëjnë diferencën”, u shpreh Aga.
Ai vlerësoi gjithashtu forcën e repartit mbrojtës të “Seleçaos”, duke theksuar eksperiencën e futbollistëve që kanë spikatur në futbollin anglez. Sipas tij, lojtarë si Gabriel Magalhães, Marquinhos, Casemiro dhe Bruno Guimarães ofrojnë siguri dhe lidership në ndeshje të nivelit më të lartë.
“Janë lojtarë që e kanë afirmuar veten në Premier League dhe në sfida të tilla nevojitet eksperienca e tyre. Besoj se e kanë përvojën e duhur për t’u treguar liderë edhe me Brazilin”, tha ai.
Duke komentuar fillimin e aventurës së Ançelotit në stolin brazilian, Aga pranoi se skuadra ka kaluar momente të vështira që nga faza kualifikuese në Amerikën e Jugut, ku rezultatet nuk kanë qenë gjithmonë në nivelin e pritur.
“Ançeloti është një trajner turnesh, ekspert i takimeve me eliminim direkt. Historia e tij e vërteton këtë, me pesë trofe të Champions League. Ai ka fituar më shumë turne të tillë sesa kampionate, gjë që tregon natyrën e drejtimit të tij. Në ndeshje ku ndikojnë shumë faktorë, si episodet, arbitrazhi, menaxhimi i stolës dhe zëvendësimet, ai di t’i lexojë shumë mirë situatat”, deklaroi Aga.
Emisioni i plotë: https://www.youtube.com/watch?v=B3QF5CD0S20
KOHA JONË SONDAZH

