Alban Hoxha: Tiranën e kemi “në dorë”, derbi pa tifozë nuk ka kuptim
Derbi Tirana-Partizani është planifikuar të luhet ditën e hënë, në orën 14:00, në stadiumin “Selman Stermasi”. Sidoqoftë, nuk është çudi të ketë ndonjë ndryshim, për hir të tifozëve, të cilët janë vërtet të shumtë, që duan të jenë të pranishëm, por mundësitë nuk ekzistojnë. Kjo, për dy arsye: Sepse orari i ndeshjes i gjen shumë prej tyre në punë, ndërkohë që “Selman Stermasi” nuk e shuan dot “urinë” dhe kërkesën e mbështetësve të dy skuadrave. Veçanërisht të të kuqve, që nuk mund të jenë më shumë se 5 % e numrit të shkallëve (ndenjësve) në stadiumin e Tiranës. Këto dy shqetësime i ka ngritur edhe kapiteni i “demave”, Alban Hoxha, i cili debutoi me kombëtaren në miqësoren e fundit ndaj Gjeorgjisë, në “Qemal Stafa” paar derbit me Tiranwn.
Partizani në krye, Tirana në vendin e pestë, me 17 pikë distancë. A ndiheni favoritë?
Për mendimin tim, nuk ka lidhje distanca që kemi në renditje. Derbi nuk ka favoritë. Edhe kur kemi luajtur herë të tjera, ka qenë Tirana më lart se ne me pikë, por në fushën e lojës ka qenë tjetër histori. Derbi ka vështirësinë e vet, ka qenë gjithmonë shumë i fortë. Edhe kësaj here nuk mendoj se do të ndikojnë pikët që kanë të dyja skuadrat në renditje.
Vitin e shkuar, edhe fazën e pare të këtij kampionati, duket se ia keni marrë dorën Tiranës në ndeshjet derbi…
Kjo është e vërtetë, që ia kemi marrë dorën Tiranës. Nuk kemi pas ndonjëherë frikë nga bardheblutë. Megjithatë, duam ta fitojmë patjetër këtë ndeshje. Objektivat tanë dihen. Duam të vazhdojmë në këtë rrugë që jemi. Skuadra e Partizanit duke iu gëzuar një fitoreje në këtë kampionat, ndaj Kukësit Luhet në stadiumin “Selman Stermasi”.
I shkon përshtat ky impiant një derbi të tillë?
Të dy stadiumet kanë të mirat dhe të këqijat e veta. Fusha e “Qemal Stafës” lë mjaft për të dëshiruar. Kjo u pa dhe në ndeshjen e fundit me Tërbunin. Nuk të jep mundësinë të luash si do. Nuk orientohesh dot me topin. Si stadium është më i mirë se “Selman Stermasi”. “Selman Stermasi” ka fushën më të mirë, kështu që le ta vendosin pritësit ku të duan të luajnë, nuk është problem për ne.
Po luajtët në “Selman Stermasi” mund të vijnë t’ju ndjekin maksimumi 1 mijë tifozë të kuq, sepse kaq e parashikon rregullorja…
E kam dëgjuar edhe këtë gjë. Eshtë e vështirë të lësh jashtë mijëra tifozë, kur në “Qemal Stafa” mund të vijnë akoma dhe më shumë. Shpresoj dhe dëshira më e madhe e imja është të luhet në “Qemal Stafa”, për të mirën e tifozëve, megjithatë nuk është në dorën tonë asgjë.
A përbën problem që do të luhet në orën 14:00?
Jo, kjo nuk përbën asnjë problem, për mendimin tim, për ne lojtarët. Për tifozët po. Shumë prej tyre do të jenë të angazhuar në punë, kështu që detyrimisht do të privohen të jenë në stadium. Shpresoj të luhet në mbrëmje, sikurse është bërë gjithmonë, dhe të ketë atë bukurinë e vet si derbi.
Pas dy fazave të para, në sezonin e kaluar, kishit 36 pikë, ndërsa aktualisht, në më pak ndeshje, keni 38 pikë, pra dy më shumë…
Besoj se jemi në rrugën e titullit. Eshtë ndërtuar një ekip që në fillim për të dalë kampion. Fillimi është i vështirë, sa të kolaudohet grupi, pas ndryshimeve në përbërje. Mendoj se këtë sezon jemi shumë më të fortë dhe këtë e tregojnë rezultatet. Ky është viti i duhur për të arritur objektivin tonë madhor.
Sidoqoftë, kampionati është i gjatë, i vështirë, ndaj do të shohim hap pas hapi e ndeshje pas ndeshjeje. Skënderbeu thotë se në fund, titulli kampion do të merret prej tij…
Ata kanë të drejtë të pretendojnë e të thonë çfarë të duan. Ne s’mund t’ia ndalojmë fjalën ekipit korçar. Megjithatë, kjo tregon se ne jemi në rrugën e duhur. Përballjen me Skënderbeun, e panë të gjithë, e fituam drejtpërdrejt, jemi katër pikë përpara. Të ardhmen nuk e parashikojmë dot, por Partizani është i vendosur të vijojë me këtë ritëm. Nuk e di se kë duhet të mundim akoma, që të besojnë tek ne. Të gjithë kundërshtarët direktë i kemi mundur, megjithatë mbetet për t’u parë akoma.
KOHA JONË SONDAZH

