Alban Xhaferri tregon planin për rikthimin e Vllaznisë në nivele të larta
Alban Xhaferri me shumë mundësi do të bëhet presidenti i ri i Vllaznisë. Ai aktualisht drejton ekipin e basketbollit, teksa në një prononcim për emisionin “Gol pas Goli”, ai foli në lidhje me situatën dhe planin për të drejtuar klubin shkodran.
“Shpresoj të bëhet më mirë. Duke parë punën e mirë që kemi bërë te basketbolli, tifozët na kanë kërkuar të hedhim sytë edhe te futbolli. Shkodranët janë të lidhur shumë te futbolli. Kam bërë disa takime të rëndësishme, dhe kam parë mundësinë për të investuar te futbolli. Presim të formalizohet kjo gjë.
Unë kam bërë një vlerësim të situatës financiare. Kanë një borxh të madh të trashëguar. Në qoftë se bëhet një plan i mirë, dhe ne punojmë mirë në pjesën e marketingut dhe sponsorve. Unë mendoj që në një afat kohor 3-5 vjeçar do të përmirësojmë ndjeshëm situatën financiare. Propozimi jonë është që të jemi pjesë e aksioneve të klubit, në maxhorancë, për të patur vendimmarrje. Bashkia të jetë partnere e klubit.
Kam pasur takime miqësore dhe kam parë që ka një gatishmëri për këtë pjesë. Ka bërë një premtim që brenda mandatit të saj të privatizojë Vllazninë. Vullneti i saj duhet të shprehet në hapa konkret. Duhet të fillojnë procedurat. Mos të shtojnë buxhetin, Vllaznia është në gjendje të rëndë tani, por të mendojnë si të shkojnë drejt privatizimit.
Analizën financiare e bëjnë studiot e auditit. Vllaznia ka një borxh. Është një vlerësim që bëhet nga studio e specializuar. Dihet që buxhetit të bashkisë, Vllaznia i kushton. Në një strukturë të re, do shpenzojë më pak. Vllaznia do ketë rezultatet e pritshme për të gjithë tifozerinë shkodrane. Ne jemi gatshëm për t’u përgjigjur në mënyrën se si do të bëhen vlerësimet.
Është shumë e rëndësishme që qeveria të miratojë ligjin e sportit, që krijon lehtësime për bizneset. Do të ishte një shtysë e madhe për të rritur nivelin e sportit në Shqipëri”, u shpreh Alban Xhaferi.