Albi Alla: Kam pasur kontakte me Tiranën, tek Kukësi nuk kthehem më!

Albi Alla është i vetmi futbollist shqiptar i cili aktualisht aktivizohet në Kinë me skuadrën e Shaanxi Chang’an Athletic, por për fatin e tij të mirë në momentin që koronavirusi u përhap në mënyrë të frikshme në shtetin e Lindjes së Largët, Alla ndodhej në Greqi ku është edhe aktualisht pasi në Kinë kishte përfunduar kampionati.

Në një lidhje me emisionin “Fan Zone”, mbrojtësi zbuloi se ka patur bisedime me Tiranën ndërsa shtoi se te Kukësi nuk dëshiron të rikthehet më.

“Për momentin ndodhem në Greqi dhe jo në Kinë. Stërvitja në Kinë ka një muaj që ka nisur. Janë në një kompleks të izoluar dhe çdo gjë po shkon drejt normalitetit. Kam pasur bisedime me Tiranën mes menaxherit dhe kam dëshirë që të luaj për bardheblutë.

Në bisedimet e fundit që kam pasur, nuk mund të udhëtohet drejt Kinës. Për fat të mirë mua më ka dalë viza dhe shumë shpejt do shkoj atje. Ekipi i preferuar? Flamurtari dhe Tirana janë dy ekipet e mia të preferuara. Te Kukësi i arrita të gjitha ato që doja dhe nuk dua të kthehem më.

Në Kinë është një ekip shumë i mirë dhe me tifozë të shumtë. Janë njerëz të mirë dhe të ngrohtë. Sezoni i parë më ka shkuar shumë mirë dhe jam i lumtur. Pagat? Edhe në Kinë kanë probleme, por janë vetëm 1 ose 2 ekipe. Por është një rregull, që nëse ekipi i vonon më shumë se 6 muaj rrogat, atëherë përjashtohet automatikisht. Ekipi im është shumë i rregullt me këtë”, u shpreh Albi Alla.

SHKARKO APP