Ambasadori serb dhe ai i UEFA-s, takim në FSHF për sigurinë e ndeshjes
Siguria e mbarëvajtjes sw takimit Shqipëri-Serbi përbën një shqetësim madhor jo vetëm për palët respektive por edhe për Uefa-n. Në orët e paradites së të enjtes, në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit u zhvillua një takim shumë palësh ku Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit priti oficerin e lartë të sigurisë së Uefa-s, Kenny Scot, një delegacion të palës serbe të kryesuar nga Ambasadori i Republikës Serbe në Tiranë, Miroljub Zaric i cili ishte i shoqëruar edhe nga oficeri i sigurisë së Federatës serbe, si dhe dy zyrtarë të tjerë të saj. Nga pala shqiptare merrte pjesw Zv. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Altin Qato, Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit Plarent Ndreca si dhe përfaqësues të organizmave që kanë lidhje me zhvillimin e ndeshjes. Në takim është diskutuar për marrjen e të gjitha masave në mënyrë që të përjashtohet kategorikisht mundësia e çdo incidenti në “Elbasan Arena”, me angazhimin maksimal të të gjithë faktorëve deri në detajet më të vogla. Të gjitha palët në takim kanë informuar në lidhje më masat përkatëse që kanë marrë apo duhen realizuar për mbarëvajtjen optimale të ndeshjes. Interesant është fakti se Uefa për ndeshjen me Serbinë ka dërguar në Tiranë një ndër oficerët më të lartë të saj për çështjet e sigurisë, Kenny Scott.
Ai është Drejtori Ekzekutiv i kompanisë Sports Safety Solutions, klienti më i madh i së cilës është pikërisht Uefa. Scot është angazhuar në një numër të madh projektesh të sigurisë për Uefa-n, dhe ka qenë një ndër konsulentët kryesorë në organizimin e sigurisë për finalet e “Euro 2012” në Poloni dhe Ukrainë, si dhe ka qenë oficeri i sigurisë së Uefa-s për disa nga ndeshjet më të rëndësishme të dekadës së fundit, si në finalen e Champions League në Londër 2011, si dhe në finalet e kompeticionit madhor në Madrid mes Inter dhe Bajern Mynih, qw u zhvillua në Stamboll mes Milan dhe Liverpool, dhe në Moskë mes Manchester United dhe Chelseat. Keny Scot është angazhuar nga Uefa si oficer i sigurisë në ndeshjet me rrezikshmëri më të lartë në Europë në Itali, Spanjë, Norvegji, Kroaci, Turqi, Serbi, Holando dhe Poloni. Prezenca e tij në Tiranë disa javë përpara ndeshjes së 8 tetorit është një tjetër konfirmim për vëmendjen maksimale që po i kushtohet nga Uefa këtij takimi, pasi incidenteve që ndodhën në përballjen e tetorit të kaluar në Beograd.
KOHA JONË SONDAZH

