Amorim pas humbjes ndaj Chelsea-t: E prisja të vuanim, në fundjavë marrim vendime për merkaton
Humbja 3-0 e Milanit ndaj Chelsea në miqësoren e zhvilluar në Xhakartë nuk ka shqetësuar trajnerin Ruben Amorim. Kjo ishte humbja e parë e portugezit në krye të kuqezinjve, por tekniku e kishte parashikuar një përballje të vështirë ndaj skuadrës angleze. Amorim theksoi pas ndeshjes se këto janë pikërisht sfidat që i nevojiten Milanit gjatë fazës përgatitore për të rritur nivelin e skuadrës.
“E dinim se mund të vuanim pak, por këto janë sfidat që duam t’u propozojmë lojtarëve tanë. Ata dinë të mbrohen si skuadër, të luajnë një kundër një dhe të bëjnë presing të lartë. Kundër skuadrave si Chelsea nuk do të bëjmë gjithmonë një presing të tillë, por jemi këtu për t’u përgatitur për të fituar ndeshjen e parë zyrtare të sezonit dhe për t’u dhënë besim lojtarëve”, deklaroi Amorim për “Sky Sport”.
Trajneri portugez nënvizoi gjithashtu se formacioni që u përball me Chelsea nuk është ende ai përfundimtar. Në fushë pati edhe disa lojtarë të rinj, ndërsa stafi teknik po vijon punën për të ndërtuar ekipin që do të nisë sezonin zyrtarisht.
“Kishim shumë lojtarë të rinj në skuadër. Po ndjekim rrugën e duhur për ta vendosur ekipin në kushtet më të mira për të fituar ndeshjen e parë zyrtare të sezonit”, u shpreh ai.
Milanin e pret debutimi në Serie A më 23 gusht, në transfertën ndaj Torinos. Para kësaj sfide, kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe një tjetër test të rëndësishëm miqësor, më 15 gusht ndaj Manchester United në Breslavia të Polonisë. Për Amorimin do të jetë një përballje e veçantë përballë ish-klubit të tij dhe njëkohësisht prova e fundit para nisjes së sezonit zyrtar.
Ndërkohë, merkatoja mbetet një tjetër çështje e rëndësishme për Milanin. Amorim pranoi se në dy javët e ardhshme priten vendime për përbërjen përfundimtare të skuadrës, si në hyrje ashtu edhe në dalje.
“Do të marrim vendime për lojtarët tanë. Dy javët e fundit kanë qenë shumë pozitive, por kemi një organikë të gjerë dhe duhet të zgjedhim disa lojtarë. Këto vendime do t’i marrim gjatë kësaj jave”, përfundoi trajneri i Milanit.
KOHA JONË SONDAZH

