ANALIZA/ 5 arsye pse Tirana duhet të besojë te një mrekulli në Zvicër (VIDEO)

Skuadra e Tiranës është në përgatitjet e fundit para ndeshjes së Play Off në Europa League kundër Young Boys. Bardheblutë pas eliminimit nga Champions League nga Crvena Zvezda (0-1), nuk luajtën në fazën e tretë të Europa League duke u kualifikuar direkt nga goglat në Nyon. Historia në fakt flet kundër skuadrës së Egbo në këtë ndeshje, pasi asnjë ekip shqiptar nuk ka mundur të fitojë ndaj ekipeve zvicerane. Gjithsesi kjo nuk i demoralizon aspak kryeqytetasit që do të shkojë me synimin për të shkuar për herë të parë në grupet e Europa League, që do të ishte një arritje historike. Por cilat janë disa arsye pse ata duhet të besojnë te mrekullia?

Së pari është efekti Emanuel Egbo. Trajneri i bardheblutë ka rezultuar si një “hajmali” për skuadrën bardheblu që arriti që të fitonte kampionatin sezonin e kaluar edhe pse në dy fazat e para nuk e nisën aspak mirë. Strategu nigerian ndërtoi një ekip solid në të gjitha repartet, duke bashkuar grupin e futbollistëve edhe pse kualiteti duhet pranuar që nuk ishte në nivelin e Kukësit apo Partizanit. Egbo nuk ka ngurruar që shpesh herë suksesin t’ia atribuojë edhe Zotit, duke e cilësuar si një faktor të rëndësishëm. Në fakt edhe kualifikimi për në Play Off pa luajtur, mund të cilësohet si një mrekulli nga Zoti, pasi bardheblutë ishin ekipi i parë në histori që u kualifikuan pa luajtur.

Faktori i dytë i gjendjes fizike të lojtarëve nga shumë specialistë është cilësuar si negativë për duelin ndaj Young Boys. Nga pikëpamja e parë është e vërtet që një gjë e tillë është e vërtet, pasi bardheblutë nuk kanë ende minuta në këmbë dhe nuk luajnë prej disa javësh. Gjithsesi rastet e përjashtimi nuk mungojnë. Në memorien e freskët janë ndeshjet e Champions League pas pandemisë, ku Lyon edhe pse nuk kishte luajtur ndeshje zyrtare (përveç një kundër PSG) ia doli që të eliminonte dy gjigantë të futbollit botëror si Juventus dhe Manchester City. Edhe Leipzig gjithashtu ia doli të eliminonte Atletico Madridin edhe pse nuk luante prej dy javësh.

“Misteri” është një tjetër faktor i rëndësishëm që mund të shërbejë edhe pozitivisht në këtë ndeshje. Të shumta kanë qenë afrimet te skuadra bardheblutë gjatë kësaj vere duke filluar te Najdovski dhe Tosevski që bën një prezantim të shkëlqyer ndaj Yllit të Kuq në Champions League. Ganezët e afruar gjatë kësaj vere janë një mister më vete, por mund të rezultojnë si zgjedhje surprizë nëse Egbo do t’i hedhë në fushë për disa minuta. Nuk dihet ende nëse Danso do të jetë me bardheblutë në Zvicër, pasi mund të fitojë menjëherë një fanellë titullari.

Kundërshtarët jo të pathyeshëm –  Nëse për Teutën dhe Kukësin gjasat për kalimin e turit ishin thuajse zero pasi kishin përballë dy ekipe me emër në ligat kryesore si Granada dhe Volfsburg, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Young Boys. Skuadra zvicerane nuk është se e ka nisur në mënyrë të frikshme kampionatin pasi ka 4 pikë pas dy ndeshjeve të para. Në fundjavë nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Sion. Sigurisht ata mbeten favoritë absolut në këtë takim për shkak të futbollistëve që kanë në dispozicion, por nuk janë aq të frikshëm sa ndaj Skënderbeut disa vite më parë.

Asgjë për të humbur – Tirana nuk do të udhëtojë për të bërë një shëtitje në qytetin e bukur të Bërnit, por për të lënë shenjën e saj. Dominimi në raste ndaj Crvena Zvezdës mund të jetë një indicie që të shtyn të besosh se bardheblutë mund të luajnë shanset e tyre ndaj kujtdo. Fundja në këtë takim, kampionët e Shqipërisë shkojnë për t’u takuar me historinë, një shans që nuk e kanë pasur shumë herë në vitet e fundit. Egbo na ka mësuar se me ndihmën e Zotit mund të bëjë të pamundurën, të mundur. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP