ANALIZA/ Bojkotimi i Superiores, pse futbolli s’duhet të mbetet peng i politikës?
Kategoria Superiore kishte parashikuar që të niste sezonin e ri më 12 shtator, por një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të bojkotit nga klubet, e iniciuar nga Liga Profesioniste e Futbollit. Zanafilla e këtij vendimi ekstrem lind nga një premtim i pa mbajtur nga kryeministri Rama në marsin e vitit 2019.
Deri më tani ky premtim është harruar nga qeveria, duke mos marrë asnjë hap për zgjidhje siç ishte premtuar. 4 janë kërkesat e klubeve të Superiores, që përfshijnë miratimin e një ligji të ri për sponsorizimet, përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6%, zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të si dhe zgjatja e efektive të përjashtimit nga tatimi nga 2 në 10 vite. Grupi negociator i Ligës është formuar nga Refik Halili, Gaz Demi dhe Koço Kokëdhima. Deri më tani ata kanë zgjedhur rrugën e refuzimit për takim me Fidel Yllin, duke kërkuar një zgjidhje pas diskutimit vetëm me Ramën. Kryeministri nga ana tjetër nuk është se është shqetësuar shumë për bojkotin.
Refuzimi i Ligës nga ana tjetër se nuk dëshiron asnjë takim me askënd tjetër përveç Ramës, të lë një përshtypje aspak të mirë. Kërkesat e klubeve janë të drejta, pasi futbolli ka nevojë për mbështetjen e qeverisë, por edhe të ekzagjëruara kur synohet përjashtim të tatimit për 10 vite. Nëse një futbollist merr 5 apo 10 mijë euro në muaj, nuk mund të mos paguajë, si çdo qytetar tjetër i vendit. Kryeministri Rama i ka konsideruar futbollistët si “skllevër” kur bëhet fjalë për pagat e tyre, të cilat referohen si minimale në tatime, pasi një gjë e tillë nuk mund të vijojë që të ndodhë ende. Çdo qytetar i një profesioni tjetër mund të ngrihet nesër dhe të pretendojë që t’i falet tatimi mbi fitim. Fakt është që prej 30 vitesh shumë klube varen nga pushteti vendor, teksa asnjë nga qeveritë deri më tani nuk ka vendosur kushte që asnjë klub të mos jetë më i varuar nga bashkitë.
Sporti dhe futbolli kanë nevojë për një reformë të thellë, e cila duhet të nisë nga ulja e palëve në tryezë, pa vendosur asnjëra prej tyre kushte. Teksa Teuta, Kukësi, Laçi dhe Tirana vijon të na nderojnë në arenën ndërkombëtare, në vendin tonë, ne papritur në momentin tonë më të mirë i themi “stop”. Fjala “bojkot” në futbollin evropian nuk ekziston, pasi nuk mund të jetë kjo rruga për të rregulluar problemet e mëdha që ka futbolli në vendin tonë. Rregullimi i impianteve sportive, shembulli i suksesit por edhe i rënies së Skënderbeut, apo së fundmi i Tiranës që me shumë fat mund të bëjë mrekullinë në Europë, janë disa tregues se duhet të bëjmë hapa para dhe jo pas. Futbolli është fusha e vetme që na ka integruar deri më tani zyrtarisht në Europë, në Europianin e vitit 2016. Politika ndërkohë ka 30 vite që vetëm na premton, ndaj dhe futbolli nuk mund të qëndrojë dhe të shpresojë zgjidhje nga politika.
Përgatiti: Rozalb Lika