Analiza e Partizani-Tirana, këto janë statistikat e derbit mes rivalëve kryeqytetas

Gjithçka gati për derbi e parë të këtij sezoni në kampionatin “Abissnet Superiore”, Partizani-Tirana dhe stadiumi “Air Albania” do të jetë skena e këtij dueli të shumëpritur. Të dyja skuadrat e kanë nisur ndryshe kampionatin, me Tiranën që nuk ka fituar ende asnjë ndeshje, por ndërkohë nuk ka regjistruar humbje.

Pesë barazimet në pesë javët e para të kampionatit janë edhe rezultat i faktit se Tirana është skuadra e dytë që pëson më pak goditje në portë për ndeshje, 8.45. Mbrojtja më e vështirë për t’u thyer është ajo e Egnatias, edhe për faktin se vjen nga një sezon i jashtëzakonshëm.

Partizani nga ana tjetër ka humbur vetëm një ndeshje dhe aktualisht është i treti në renditje me 8 pikë të barabarta me Elbasanin. Fillimi pozitiv i skuadrës së Aleksandër Veselinoviçit vjen sigurisht edhe për shkak të aftësisë për të krijuar raste për gol. Partizani është skuadra që në këto pesë ndeshjet e para ka goditur më së shumti portën e kundërshtarit, me një mesatare prej 14.8 gjuajtjesh për ndeshje.

Një aspekt ku Partizani mund të duhet të përmirësohet është saktësia e gjuajtjeve, duke qenë se vetëm 35.4% e goditjeve përfundojnë në portë. Nga ana tjetër, 43% e goditjeve të Tiranës përfundojnë në portë, nga 10.7 goditje për ndeshje, është një shifër që tregon se bardheblutë janë më saktë në finalizim.

Një sulm i shkëlqyer (ai i Partizanit) kundër një mbrojtjeje shumë të mirë (ajo e Tiranës): kjo është ndeshja që na pret mbrëmjen e së shtunës. Kush mund të ketë më shumë zotërimin e topit? Shifrat na sugjerojnë Partizanin, që është pas Egnatias skuadra që dominon më shumë lojën gjatë këtij kampionat.

 

SHKARKO APP