Ancelotti: Brazili ka talentin dhe urinë për të fituar Botërorin, Neymar varet nga forma fizike
Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, është shprehur optimist për paraqitjen e “Seleçaos” në Kupën e Botës 2026. Në një intervistë për të përditshmen britanike The Guardian, tekniku italian deklaroi se Brazili ka gjithçka për t’u rikthyer te suksesi pas 24 vitesh pritje.
“Brazili ka talent, ka një popull që e do fanellën e kombëtares dhe ka shumë dëshirë të rikthehet te fitoret. Mund të bëjmë një Botëror të madh”, u shpreh Ancelotti, vetëm pak ditë para publikimit të listës paraprake të lojtarëve të grumbulluar.
Një nga temat më të diskutuara në Brazil mbetet rikthimi i Neymar në kombëtare. Ancelotti sqaroi se gjithçka do të varet nga gjendja fizike e sulmuesit brazilian.
“Grumbullimi i Neymar? Varet nga ai, jo nga unë. Ashtu si për të gjithë lojtarët, forma fizike do të jetë vendimtare. Talenti i tij nuk vihet kurrë në diskutim, duhet të vlerësojmë vetëm gjendjen fizike”, deklaroi trajneri italian.
34-vjeçari, ish-lojtar i Barcelona dhe Paris SG, nuk ka luajtur me Brazilin që nga tetori i vitit 2023, ndërsa problemet fizike e kanë penalizuar vazhdimisht në vitet e fundit. Megjithatë, Neymar mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares braziliane me 79 gola.
Ancelotti foli edhe për momentin e vështirë që po kalon Vinícius Júnior te Real Madrid, duke theksuar se sulmuesi do të ketë një rol kyç në Botëror.
“Përgjegjësia që ai mban mbi supe për Brazilin është shumë e madhe dhe kjo mund të kthehet në presion. Detyra jonë në kombëtare është ta çlirojmë nga kjo barrë, në mënyrë që të luajë me gëzim, energji dhe me gjithë cilësitë që ka”, tha Ancelotti.
Sipas trajnerit italian, Vinícius mbetet një futbollist i jashtëzakonshëm, i aftë të vendosë ndeshjet i vetëm, por Brazili nuk duhet të mbështetet te një yll i vetëm.
“Nuk kemi nevojë për një numër 1 absolut. Nuk mund ta përqendrojmë gjithçka te një lojtar. Duhet të mendojmë dhe të luajmë si skuadër. Vetëm kështu mund të fitohet Kupa e Botës”, përfundoi Ancelotti.
KOHA JONË SONDAZH

