Ancelotti: Eliminimi nga Botërorit është fillimi i një cikli të ri, jo fundi
Trajneri i Kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelott, deklaroi se eliminimi nga Norvegjia në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026 duhet parë si fillimi i një cikli të ri dhe jo si fundi i një projekti.
Pas humbjes 2-1, tekniku italian u shpreh në konferencën për shtyp se i gjithë grupi është thellësisht i zhgënjyer nga rezultati, por vlerësoi paraqitjen e skuadrës gjatë turneut.
“Jemi të gjithë thellësisht të trishtuar për këtë humbje. Megjithatë, Brazili zhvilloi një Botëror të mirë dhe besoj se e meritonim ta fitonim ndeshjen e sotme. Duhet ta shohim këtë disfatë si fillimin e një aventure të re. Duhet të vazhdojmë të punojmë, të përmirësohemi dhe të gjejmë ide të reja. Nuk është fundi, por nisja e një cikli të ri”, deklaroi Ancelotti.
Ndërkohë, Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) konfirmoi mbështetjen e plotë për trajnerin italian, duke bërë të qartë se ai do të vazhdojë të drejtojë kombëtaren edhe pas eliminimit nga Kupa e Botës.
Drejtori ekzekutiv i kombëtareve në CBF, Rodrigo Caetano, tha se Brazili synon të ndërtojë skuadrën me qetësi deri në Botërorin e vitit 2030, duke shmangur ndryshimet e shpeshta të trajnerëve që kanë karakterizuar vitet e fundit.
“Me trajnerin e konfirmuar për ciklin e ardhshëm, mund të nisim që në shtator rindërtimin e ekipit, duke ruajtur aspektet pozitive të këtij Botërori dhe duke bërë korrigjimet e nevojshme”, u shpreh Caetano.
KOHA JONË SONDAZH

